Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, pasi e njëjta dyshohet se u qëllua për vdekje nga tashmë i arrestuari, Granit Plava. E gjithë ngjarja që u inskenua si grabitje e armatosur, dyshohet të jetë porositur nga bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli, raporton Gazeta Sinjali.
Në emër të familjes, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka thënë se kërkojnë drejtësi të shpejtë dhe profesionale.
Në reagim thuhet se shpresojnë që institucionet do t’i lejojnë ta bëjnë zhvarrosjen e trupit të Liridonës, për ta rivarrosur në vendlindjen e saj.
“Liridona ka qenë grua e fortë dhe pozitive, nënë e përkushtuar dhe familjare e dashur. Atë na e morën kriminelët dhe krejt çfarë duam ne është drejtësi. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Shpresoj që institucionet do të na lejojnë që Liridonen ta kthejmë nesër aty ku e ka vendin, në shtëpinë e saj”, thuhet në reagimin e familjes Ademaj.
Ndryshe, Policia ka arrestuar dje tre persona të dyshuar për vrasjen e Liridonës, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin.
Naim Murseli u arrestua dje nën dyshimet se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës. I njëjti dyshohet se ka inskenuar gjithë ngjarjen që të ngjajë si grabitje e armatosur me pasojë vdekjen, teksa vetë gjoja kishte arritur që të ikte bashkë me dy fëmijët, 6 dhe 4-vjeçar.
E, personi që dyshohet se shkrepi armën duke e lënë të vdekur në vend Liridonën, është Granit Plava. Plava ka pohuar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij.
Gjatë ditës së djeshme Sinjali raportoi ekskluzivisht edhe për personin e tretë të arrestuar, i cili është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjar i Naimit.
Seanca fillestare ndaj të dyshuarve do të mbahet nesër në orën 09:30, teksa Prokuroria ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.