Dy punonjës të postës kryesore në komunën e Rahovecit përfunduan në pranga nën dyshimin që të njëjtit kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe kanë falsifikuar para.
“Hetuesit e NjRHKEK-Gjakovë, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore duke grumbulluar të dhëna se një shumë prej 7000 (shtatë mijë) €, dyshohet të falsifikuara, janë futur në shërbim në postën e Rahovecit” bëri të ditur Policia.
Policia ka arrestuar dy të dyshuar, B.D., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar, menaxher në postën në Rahovec) dhe H.D., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar). Në postë janë gjetur dhe konfiskuar, nën dyshimin se janë të falsifikuara, shuma e monedhave prej: 1362 X 2 =2 724 €, 970 X 1= 970 €, 1480 X 0.50=740€, gjithsej 4434 €. Po ashtu, dyshohet se 2566 € janë shpërndarë tek qytetarë që kanë kryer shërbime në këtë postë e të cilët janë mashtruar me këto veprime të të dyshuarve.
Ndërkohë, burime të Indeksonline bëjnë të ditur se të hollat në fjalë që janë falsifikuar, kanë qenë të destinuara për Skema Sociale, pra për qytetarët që marrin ndihmë sociale./