Bashkimi Evropian raportohet se tashmë ka hartuar masa kundër Serbisë, pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës. Siç raporton mediumi “EurActiv”, këto masa do të kenë ndikim politik dhe ekonomik, po ashtu, në aspektin e anëtarësimit të saj në këtë bllok.
Tashmë kur kanë kaluar më shumë se dy javë prej sulmit terrorist në Bajnskë të Kosovës, presioni nga liderë rajonalë, eurodeputetë dhe nga autoritetet e Prishtinës, është rritur që të vendosen masa ndaj Serbisë.
Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka deklaruar që në sulm kanë qenë të përfshira edhe autoritetet serbe, derisa para pak ditësh, u konfirmua se organizator i grupit terrorist ishte Milan Radojiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe i afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Masat janë hartuar?
BE-ja i ka gati masat, kështu raporton mediumi të ketë deklaruar në një intervistë eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
Duke folur për sulmin në veri, ajo citohet të ketë pyetur: “Si hynë automjetet me armë dhe pajisje ushtarakë në veri? Kush ishte pas kësaj dhe cilat grupe kriminale fshehen ende atje?”
Veç kësaj, eurodeputetja ka deklaruar se Vuçiq kontrollon shumë gjëra në Serbi dhe se “është e vështirë të besohet që ai nuk ishte në dijeni se çfarë po ndodhte, duke marrë parasysh blerjen e armëve dhe organizimin e një grupi agresiv”.
Nëse Serbia nuk ndërmerr ndonjë veprim, Von Cramon ishte e qartë se BE-ja do të ndërmarrë.
“Jemi duke folur për masa politike, financiare apo të ndërlidhura me negociatat për anëtarësim. Ne kemi shumë mjete në dispozicion, dhe e dijmë që nuk është në intersin e Vuçiqit, sidomos pasi bëri thirrje për zgjedhje në dhjetor, që gjërat të dalin jashtë kontrollit.” – tha ajo.
Masat, të cilat duhet t’i aprovojë Këshilli Evropian, veç se janë përgatitur.
“Masat janë hartuar tashmë…Jemi duke folur për masa financiare dhe politike, akses të limituar në fondet e IPA, të cilat pa dyshim do ta dëmtojnë Qeverinë serbe.” – ka thënë ajo.
BE-ja ngrit tonet ndaj Serbisë
Bashkimi Evropian ka folur me tone më të ashpra ndaj Serbisë së fundi. Zëdhënësi Peter Stano e bëri të qartë që Serbia duhet të bashkëpunojë pa kushte dhe nuk mund të fshihet prapa formaliteteve.
“Pritjet tona nga Serbia janë jo vetëm që të ketë nga ajo bashkëpunim të plotë, por të ketë bashkëpunim pa kushte. Nëse ka vullnet, ka edhe rrugë dhe askush nuk duhet të fshihet prapa formaliteteve si njohja e palës tjetër apo mosnjohja. Ka shumë rrugë se si mund t’i shkëmbeni evidencat, si mund të bashkëpunoni dhe si mund të kontribuoni plotësisht në hetime.” – ka thënë ai.
“Ajo që ndodhi më 24 shtator është diçka aq serioze sa që duhet të sqarohet në tërësi, sepse do të ketë pasoja. Nuk dua të hyj në komente individuale në këtë fazë të hetimeve, sa njerëz ishin përfshirë e sa jo. Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Është shprehur para palëve disa herë e ai është se presim bashkëpunim nga Serbia dhe nga cilado palë që mund të kontribuojë që sa më shpejt të sqarohet ajo që ndodhi, pse ndodhi, kush mori pjesë dhe kush e orkestroi atë. Dhe, në bazë të kësaj, BE-ja do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm ndaj Serbisë, ndaj Kosovës, ndaj dialogut dhe ndaj rajonit.” – ka shtuar Stano.