I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka pranuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndonëse siç ka thënë ai, e ka bërë me vështirësi të mëdha.
Escobar ka deklaruar se janë bërë përparime drejt formimit të këtij mekanizmi për serbët e Kosovës në muajt e fundit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar ka deklaruar se ka vërejtur një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit Albin Kurti, për ta pranuar implementimin e Asociacionit.
“Para së gjithash, që të jem mjaft i drejtpërdrejtë, kemi parë një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme”, ka thënë Escobar.
Sipas Ecobar, tani ka mbetur vetëm që të përacaktohen korniza dhe parametrat e Asociacionit.
“Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cilia duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, ka theksuar ai.
Escobar ka deklaruar se në takimin e dy liderëve Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq në fillim të muajit maj, do të donte të shihte një projekt-plan konkret të Kosovës për Asociacionin.