Të dielën qytetarët do ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar në komunat e tyre.
Kandidati për kryetar të Klinës nga radhët e PDK-së, Esat Raci, ka bërë një postim të gjatë në FB.
Ai ka ftuar qytetarët të votojnë dhe të bëjnë ndryshime për 4 vitet e ardhshme.
Ky është postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Klinës!
Unë dhe ju të dashur qytetarë, jemi njerëz të zakonshëm, por duhet ta kujtojmë një të vërtetë, se demokracia bazohet pikërisht në bindjen se tek njerëzit e zakonshëm gjenden mundësitë e jashtëzakonshme.
Ky proces i zgjedhjeve do të na jep një siguri morale se posti i kryetarit të Komunës nuk do të i jepet dhuratë dikujt që nuk është i familjarizuar me qytetarin më të zakonshëm të komunës, që nuk merr pjesë në gëzimet dhe hidhërimet e tij, që nuk e ndjen peshën e rëndë të varfërisë, papunësisë, sëmundjes së çdo njërit banor të komunës, nga Stupa e Qeskova, Jashanica e Resniku e deri te ai i Caravikut e Stapanicës.
Unë nuk do të pres që ju të mi tregoni e tregoni disa herë nevojat dhe prioritetet e juaja. Jam bir i këtij vendi, kam jetuar dhe do të jetoj me ju çdo mëngjes, drekë e darkë. I di nevojat dhe prioritetet tuaja.
Të dashur qytetarë!
Dita kur ju do të vendosni se cili nga ne kandidatët për kryetar të Komunës, do ta merr besimin tuaj, erdhi! E unë e dua ditën e votimit. Më pëlqen ajo pamje kur ju bashkëqytetarë të mi rreshtoheni për të bërë të dëgjohet zëri i juaj. Tani ka më pak se dy ditë për t’u vendosur për katërvjeçarin e ardhshëm. Edhe dy ditë dhe Klina do të kthehet në rrugën e duhur për vitet në vazhdim. Bëhuni pjesë e ndryshimeve! Kontribuoni për të mirën e përgjithshme!
Ajo që kam parë gjatë këtij muaji nuk ishte angazhim në një fushatë për një të diele zgjedhjesh, por një lëvizje, ishte një lëvizje e madhe qytetare për drejtësi sociale, ekonomike dhe zhvillim. Ishte një lëvizje e madhe për të ndryshuar këtë mënyrë të qeverisjes së komunës tonë.
Dua që të falënderoj të gjithë ata që i kanë prirë fushatës sime; Kryetarin Sokol Bashota, ekipin e angazhuar, organizatorët e takimeve. Dua të falënderoj mbi të gjitha, qytetarët që kanë pasur durim të na dëgjojnë, të na epin ide dhe sugjerime, të na përkrahin!
Ju faleminderit përzemërsisht!