Moti me shi dhe me erëra të fuqishme ka rezultuar me reduktime të ashpërta të energjisë elektrike të Kosovës, shkruan IndeksOnline.
Në komunën e Vushtrrisë, Obiliqit e të Shtimës, sipas të dhëna që nga dje ka reduktime të mëdha të energjisë.
Nga këto anë, banorët thonë se gjatë dy ditëve të fundit ka shkëputje të mëdha të energjisë.
Ata po ankohen se “ mjafton një frymë e lehtë për të mos pasur rrymë me orë të tëra”.
IndeksOnline ka kontaktuar me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala për të pyetur se a ka ndonjë prishje në këto komuna.
Buzhala ka thënë se si pasojë e erërave të forta janë shkaktuar disa prishje, por ato janë duke u rregulluar.
“Janë shkaktuar disa prishje si pasojë e erërave të fuqishme që po fryjnë. Ekipet e KEDS’it janë në terren duke punuar që ato të sanohen në kohën më të shkurtër të mundshme dhe konsumatorëve tu kthehet energjia elektrike”, ka thënë Buzhala.
Ndryshe, në Vushtrri ka pasur mungesë të energjisë elektrike që nga ora 09:00 deri në 16:00, me vetëm një orë energjisë – nga 13:00 deri në 14:00./