Turqia dhe presidenti i saj, Rexhep Taip Erdogan, mund të përfshihen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka thënë këshilltari i presidentit turk për Ballkanin, shqiptari Sabri Demiri.
Demiri ka lënë të kuptohet se Erdogan po pret që të shohë se çfarë rezultati ka drejt marrëveshjes finale në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli dhe pastaj të përfshihet si ndërmjetësues në dialog.
“Ia kemi shprehur këtë edhe presidentit Vuçiq dhe pas vizitës që do të bëjmë në Kosovë, apo ndoshta edhe më herët me krerët e Kosovës. Ne kemi shprehur interesin që të ndihmojmë, mirëpo momentalisht kemi pritur që takimet në Bruksel mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti të marrin një përfundim dhe të shohim se deri ku po vijnë me këtë marrëveshje dhe që pastaj të ndërhymë edhe ne që të jemi ndërmjetësues dhe të ndihmojmë në këtë rrugë të marrëveshjes”, ka deklaruar ai në një intervistë për Klan Kosova.
Demiri ka njoftuar se është duke u përgatitur një vizitë e presidentit turk, që parashihet të realizohet gjatë këtij viti në Prishtinë dhe në Tiranë.