Dhjetë persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, fillimisht ishte e vështirë për t’i identifikuar, disa orë pas tragjedisë, policia arriti të bënte lidhjen e viktimave me dokumentet e tyre.
Në mesin e viktimave nga kompania “Deva Tours”, e kanë konfirmuar se është edhe njëri nga shoferët.
Sinjali ka mësuar se ai është Naser Sylmetaj nga Grecina e Hasit, Komuna e Gjakovës.
Ndërkaq që nga konfirmimi i viktimës së parë e deri më tani janë bërë të ditur emrat e 9 personave të tjerë që vdiqën në këtë aksident.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, deri ditën e nesërme pritet të kryhet autopsia dhe trupat e të ndjerëve të kthehen në Kosovë.
Nga Komuna e Gjakovës janë konfirmuar edhe dy viktima tjera, Erlinda dhe Valentina Binakaj, të cilat ishin nënë e bijë.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, mbrëmë ka konfirmuar dy viktimat e aksidentit tragjik nga kjo komunë.
Në mesin e viktimave janë Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe.
Familjarët e Anjezës që nga mëngjesi e deri në mbrëmjen e djeshme nuk dinin gjë për fatin e saj. Madje ata gjatë ditës së djeshme kanë shkuar në Kroaci për të kërkuar informacione për të.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mbrëmë ka konfirmuar për Sinjalin se nga kjo komunë në aksidentin tragjik ka mbetur i vdekur Sevdail Rrushtemi, nga fshati Pakashticë e Komunës së Podujevës.
Ai ishte duke udhëtuar me të njëjtin autobus bashkë me gruan, dy djemtë e tij dhe mbi 60 mërgimtarë të tjerë.
Kurse gjatë ditë së sotme Komuna e Junikut ka njoftuar se dy gra nga kjo komunë, Leonora Gjota-Kolmekshaj dhe Gjyle Maloku, kanë ndërruar jetë në aksidnetin tragjik në Kroaci.
Edhe Alinda I. nga Peja ishte ndër viktimat e një prej aksidenteve më të rënda që ka ndodhur në Kroaci.
Ajo po udhëtonte me katër nga pesë fëmijët e saj në autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë
Një nga viktimat është edhe Hamet Hoxha, nga fshati Randobravë i komunës së Prizrenit i cili ishte nisur nga Gjermani për të ardhur në Kosovë.
Djali të ndjerit, Valmiri, tregon se babai Hameti i cili prej shumë vitesh jetonte dhe vepronte në Shtutgart të Gjermanisë, ishte i gëzuar që ishte nisur drejt vendlindjes, pa e menduar se atij dhe disa bashkudhëtarëve tjerë do të iu ndodhte më e keqja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditën e hënë e ka shpallur ditë zie në nderim të viktimave të aksidentit me autobus në Kroaci ku humbën jetën 10 veta ndërsa u plagosën më shumë se 40 persona.