Emisari i kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka përfunduar vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë me një video-mesazh, duke treguar për përshtypjet e tij për Kosovën që kur për herë të fundit e vizitoi 22 vjet më parë.
“Kosova gjithmonë ka qenë një vend special për mua, që nga koha kur erdha për herë të parë këtu, në vitin 2000. Të vij prapë më 2022 dhe të shoh sa shumë ka ndryshuar Kosova për të mirë, është e mrekullueshme”.
Ai tha se detyra e tij si emisar special është që të mbështesë punën e Britanisë së Madhe në promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
Si prioritete ai listoi forcimin e institucioneve demokratike, një qasje serioze në trajtimin krimit të organizuar dhe inkurajimin për zgjidhjen e çështjes së krimeve të luftës dhe personave të zhdukur.
Peach tha se për dialogun Kosovë-Serbi po bashkëpunon me BE-në dhe tha se ky proces siç është prioritet për Kosovën, është edhe për Britaninë e Madhe.
“Kosova ka zhvilluar mirëfunksionimin e demokracisë në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe është duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm në trajtimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Britania e Madhe mbetet, si gjithmonë, një partner i palëkundur i Kosovës dhe është e zotuar që të trajtojë kërcënimet ndaj stabilitetit dhe sigurisë në rajon”.