Kryeministri Albin Kurti e ka pritur sot në takim emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach. Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Peach diskutuan pë paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
ZKM thotë se Kurti e falënderoi emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë.
“Mbretëria e Bashkuar është partner i Kosovës i domosdoshëm për zhvillim dhe siguri, tha kryeministri duke mirëpritur emërimin e emisarit Peach si veprim i duhur që do t’u kontribuojë proceseve politike në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
“E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin, theksoi Kryeministri”, thuhet në komunikatë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët, tha kryeministri Kurti. Ai ritheksoi që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara”, thuhet në komunikatë.