Elvana nuk ia del sërish, zbulohet kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025

“Shkodra Elektronike” u shpall fituesja e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës dhe me këngën “Zjerm” do të përfaqësohet Shqipëria në Eurovision 2025.

Performanca e “Shkodrës Elektronike” mori në total 143 pikë në votimin e ndarë 50% nga juria dhe 50% nga publiku.

Pas tyre u rendit Elvana Gjata, e cila arriti të marrë vendin e dytë me këngën “Karnaval”, duke grumbulluar 135 pikë, ndërsa Alis siguroi vendin e tretë me këngën “Mjegull”, me 59 pikë.

Të parat që u numëruan ishin votat e jurisë profesioniste, të cilat paraprinë rezultatin përfundimtar me “Shkodrën Elektronike” në vend të parë, Elvana Gjatën në vend të dytë dhe Alis në vendin e tretë.

Renditja u përmbys nga vota e diasporës, e cila votoi për herë të parë në këtë festival, duke i dhënë shumicën e votave Elvana Gjatës dhe në vendin e dytë renditi “Shkodrën Elektronike”.

Këngëtari Alis sërish e ruajti vendin e tretë.

Ishte numërimi i mesazheve SMS nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që i dha “Shkodrës Elektronike” përfundimisht çmimin e madh.