Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj është deklaruar pas vendimit të marrë sot nga Kuvendi Komunal për ndalimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos në këtë komunë.
Elezaj tha se kjo u bë pas peticionit të qytet3arëve për refuzimin e ndërtimit të kësaj fabrike, ku shtoi se për këtë çështje ka qenë vazhdimisht i hapur për të bashkëpunuar me qytetarët.
I pari i Klinës theksoi se çdoherë kërkesat e qytetarëve do të dëgjohen, shqyrtohen dhe do të përkrahen pa rezervë.
Postimi i plotë:
Të nderuar bashkëqytetarë,
Duke pasur parasysh ngritjen e zërit tuaj kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në Klinë të shprehur në forma të ndryshme, me kërkesën time sot Kuvendi i Komunës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar peticionin e qytetarëve për refuzimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos në Komunën e Klinës.
Për këtë çështje kam qenë vazhdimisht i hapur të diskutoj me ju edhe në takime tjera dhe çdo herë kam ofruar mbështetje të pa rezervë ndaj kërkesave të arsyeshme të juaja.
Prandaj edhe sot në këtë seancë të jashtëzakonshme, ku të pranishëm ishin edhe shumë qytetarë të respektuar të Klinës, kam njoftuar të pranishmit se Komuna ka lëshuar pëlqim në harmoni me Planin Zhvillimor Komunal vetëm për rregullimin e dokumentacionit e jo për fillimin e veprimtarisë dhe se pëlqime të tilla janë lëshuar edhe në të kaluarën.
Por asnjë pëlqim nga kushdo qoftë nuk është më i fuqishëm e i rëndësishëm se pëlqimi i qytetarëve.
Është për t`u përshëndetur vendimi i kuvendit për:
– anulimin e të gjitha pëlqimeve dhe dokumenteve tjera urbanistike që janë dhënë lidhur me gurorët për furnizim me lëndë të parë për fabrikën e çimentos,
– Po ashtu, me qëllim të rritjes së transparencës, debatet në lidhje me dhënien e pëlqimeve të natyrës së njëjtë do të organizohen në objektin e komunës dhe pëlqimet e natyrës së njëjtë do të shqyrtohen nga kuvendi.
Ju siguroj të gjithë ju se çdo herë kërkesat e juaja do të dëgjohen me kujdes, shqyrtohen me profesionalizëm dhe do të përkrahen pa rezervë.