David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York, ka folur për largimin e Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Phillips për gazetën “Bota sot”, ka thënë se LDK-ja është më e dobët pas dëbimit të Osmanit nga kjo parti. Ai ka theksuar se Osmanit i kushtoi me çmim politik qëndrimi parimor për shpërbërjen e qeverisë Hoti.
“Është për të ardhur keq që Vjosa Osmani u përlesh me LDK-në. Ajo mori një qëndrim parimor mbi shpërbërjen e qeverisë dhe pagoi një çmim politik. LDK është më e fortë me të në parti. Eshtë më e dobët që kur ajo u dëbua”, ka thënë eksperti amerikan.
Teksa ka komentuar bashkëpunimin parazgjedhor mes Osmanit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Phillips ka thënë se kjo e ndihmon ushtruesen e detyrës së presidentes të ketë një platformë më të gjerë politike. Ai konsideron se Osmani është pasuri e rëndësishme në skenën politike të Kosovës.
“Lista e pavarur Guxo e zonjës Osmani ka nevojë për një partner që të jetë e vlefshme. Anëtarësimi në VV i jep asaj një platformë më të gjerë politike. Ndihmon gjithashtu VV-në, në rast se i nevojitet një koalicion për krijimin e qeverisë. Zonja Osmani është e zgjuar dhe telegjenike. Ajo sjell pasuri të rëndësishme në skenën politike në Kosovë”, është shprehur më tej Phillips për “Bota sot”.
Eksperti vlerëson se ndikimi i bashkëpunimit Kurti-Osmani do të jetë i dobishëm, por mund të mos jetë edhe i qëndrueshëm. Ai ka porositur VV-në dhe partnerët e saj të mundshëm të koalicionit, që t’i rezitojnë ndikimit islamik të Turqisë.
“Aleanca midis znj. Osmani dhe VV-së është e dobishme, por mund të mos jetë e qëndrueshme. Lista e Z. Kurti është një përzierje e personaliteteve, përfshirë zonjën Osmani, ndikimi dhe roli i së cilës do të zhvillohet me kalimin e kohës. VV dhe partnerët e saj të mundshëm të koalicionit, duhet t’i rezistojnë ndikimit islamik të Turqisë. Shqiptarët e Kosovës janë nacionalistë sekularë. Turqia duhet të ndalojë ndërhyrjet në politikën e Kosovës dhe shoqërinë e Kosovës”, ka theksuar për gazetën “Bota sot” drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, VV-ja dhe Osmani do të kandidojnë me një listë të përbashkët.