Ekonomia e Kosovës përkatësisht Bruto Produktit Vendor (BPV), në tre muaj korrik-shtator, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka shënuar rritje reale për 2.07 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: aktivitetet financiare dhe të sigurimit 12.67 për qind, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse 8.61 për qind, Informacioni dhe komunikimi 8.28 për qind, artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera 7.49 për qind, tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor 4.31 për qind,
Tutje ASK përmend se rritje pati edhe tek Industria nxjerrëse dhe përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave dhe rehabilitimi 2.24 për qind, bujqësia, pyjet dhe peshkimi 2.18 për qind, Aktivitetet e pasurive të paluajtshme 1.38 për qind.
Në anën tjetër, rënie të aktivitetit ekonomik pati në ndërtimtari.
“Ndërsa, aktivitetet ekonomike që shënuan rënie në këtë tremujor ishin: Ndërtimtaria (-7.78%); Administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia (-0.48%)”- thuhet në komunikatë.
BPV-ja sipas shpenzimeve u rrit në eksport-importin e mallrave
Sipas metodës së shpenzimeve, eksport-importi i mallrave dhe shërbimeve si dhe konsumi final pati rritje.
“Ndërkaq, komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rritje ishin: Eksporti i mallrave dhe shërbimeve (6.30%); Importi i mallrave dhe shërbimeve (3.87%); dhe Shpenzimet e konsumit final (2.64%)”- bën të ditur ASK.
Ndërsa, rënie kishte formimi i bruto kapitalit -2.33 për qind.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e raportit Bruto Produktit Vendor (BPV) për tremujorin e tretë (TM3) të vitit 2022, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.