Duke mos u mbështetur
në asnjë ligj të drejtësisë
në asnjë nen
në asnjë pikë të nenit
marr vendim t’i dua njerëzit
marr vendim
liria të dalë në rend të parë
dhe ai burg me atë gjak- rrënjë të saj.
Duke mos u mbështetur
në asnjë kushtetutë
në asnjë konventë të OKB-së
marr vendim ta bëj
një portret në qiell
me të gjithë fëmijët e vrarë
të tokës sonë të vogël.
Duke mos u mbështetur
në asnjë legjislacion të kohës
marr vendim t’i dua e t’i çmoj shumë kafshët.
TEST STANDARD
A më dhemb ti mua?
Unë ty a të dhemb?
Nuk ka test tjetër
me e mat saktë vetveten.
JETË PA OBORR
Dje
pa oborr
ke shkue në burg
e ke mbjellë shpresë.
Sot
pa oborr
s’ke si mbjell
as bukë në vjeshtë.
Dje e sot
ti vetëm me këngën
pa jetën tjetër.
Ringjall
Trimin edhe Vashën
djerreve tona të harrimit.
COVID-19
Në labirintin e natës
akrepat e orës një mijë herë u ndalën.
Sa nata jote e gjatë kjo natë,
atje ku je, o nanë!
Akrepat e orës
sonte një mijë herë vdiqën
mbi rrasën e ftohtë të dhimbjes,
sepse globi i tokës s’ka fuqi
të ecë më shpejt
rreth boshtit të vet,
ka COVID-19.