Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se përveç Kujtim Fejzulait, edhe dy persona të tjerë, shtetas maqedonas kanë qenë të përfshirë në sulmet e ditës së hënë në Vjenë.
“Nga lista e policisë austriake, e cila iu dorëzua disa policive, përfshirë edhe policinë tonë, konstatua se edhe dy persona tjerë, përveç austriakut, gjithashtu kanë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë Veriore, përkatësisht K.F. (i lindur në Modling, Austri), A.G. (i lindur në St. Polten, Austri) dhe U.A. (i lindur në Vjenë, Austri).
Sektori për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme u vu menjëherë në dispozicion të kolegëve nga Austria dhe ne po bashkëpunojmë intensivisht me të gjithë elementët që lidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin me shkrim të MPB-së në Shkup.
Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu njofton për një bisedë telefonike mes kryeministrit maqedonas Zoran Zaev me kancelarin austriak, Sebastian Kurz.“Kryeministri austriak i shprehu mirënjohje kryeministrit Zaev për solidaritetin dhe mbështetjen e shprehur.
Kryeministrat shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin në lidhje me sulmin terrorist nëse shërbimet austriake përcaktojnë një nevojë të tillë”, thuhet në njoftimin e Mininistrisë së Punëve të Brendshme.
Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, ka thënë të martën se të dhënat e mbledhura deri më tani nuk japin shenja se ka qenë edhe një sulmues i dytë i përfshirë në sulmin në Vjenë.Ai ka thënë se video-incizimet e ofruara, nuk kanë dhënë detaje për një sulmues të dytë, ndonëse ende kjo gjë nuk është përfundimtare.
Katër persona kanë vdekur si pasojë e të shtënave.Nehammer ka thënë se numri i personave të plagosur është rritur në 22.Ai ka thënë se 14 persona të lidhur me sulmuesin janë ndaluar për t’i marrë në pyetje përgjatë kërkimeve në 18 prona në dhe afër Vjenës./REL