Komunat deri më 8 dhjetor kanë afat për të vendosur lidhur me faljen e tatimit në pronë deri në vlerën prej 100 eurove.
Deri sot shumë komuna nuk kanë vendosur ende për faljen e tatimit në pronë në lartësinë e sipërcekur.
Komunat të cilat e kanë votuar faljen e tatimit në pronë janë: Komuna e Drenasit, Graçanicës, Obiliqit, Vushtrrisë, Skenderajt, Suharekës, Gjilanit, Kamenicës si edhe ajo e Hanit të Elezit.
Ndërsa Komuna e Prishtinës nesër ka paraparë ta hedhë në votim në kuvend. Ndërsa komunat që përfundimisht i kanë thënë jo faljes së tatimit në pronë janë komunat të Pejës, Istogut, Deçanit, Gjakovës.
Ndërsa pjesa tjetër e komunave kanë afat për të vendosur deri të premten. Ndryshe, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, i ka njoftuar komunat se kanë afat deri më 8 dhjetor për të vendosur lidhur me faljen e tatimit në pronë deri në vlerën prej 100 eurosh.
Përmes një komunikate shtypi nga ministria është thënë se Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë ministrisë për faljen e tatimit, prandaj ua ka lënë në dorë komunave për të vendosur.
“Pas publikimit të aktgjykimit të AGJ 2296/23 më 23.11.2023 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i ka njoftuar komunat e Republikës së Kosovës për përmbajtjen e aktgjykimit si edhe për afatin e përcaktuar nga gjykata për zbatimin e dispozitës ligjore për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerën prej 100 €”.
“Si rrjedhojë, komunat e Republikës së Kosovës janë njoftuar se deri më 08.12.2023 mund të vendosin rreth faljes së tatimit në pronë, e cila mund të lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro”, thuhet në njoftimin e MF-së.