Një rast tragjik ka ndodhur në Pejë mëngjesin e sotëm, ku një burrë dyshohet se e ka vrarë gruan e tij. Sinjali raportoi ekskluzivisht se burri që dyshohet se vrau gruan e tij është Edmond Lajqi, i cili tashmë është prangosur.
Ky krim që tronditi Pejën dyshohet se ndodhi në banesën e çiftit.
Sinjali ka mësuar se çifti dyshohet se kanë pasur raste të dhunës në familje që janë raportuar te organet e rendit.
Burimet e Sinjalit po ashtu kanë bërë me dije se Lajqi u dorëzua vet në Polici dhe raportoi për krimin ndaj bashkëshortes, Gjyljeta Ukella.
Lajmin për rastin tragjik e ka konfirmuar kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj, i cili njoftoi se i dyshuari është arrestuar, teksa trupi i pajetë i viktimës akoma nuk është tërhequr nga vendi i ngjarjes.
Kurmehaj tha se ende s’dihen motivi dhe detajet e tjera.