E shtuna ka dalë të jetë e kobshme në Kosovë. Një person është vrarë, një tjetër është vetëvrarë. E një i ri 27-vjeçar nga Kamenica ka humbur jetën derisa po punonte në vendin e tij të punës. Ndërkohë një grua 35-vjeçare nga Vrella e Istogut është therur me thikë nga ana e burrit. Express jua sjellë lajmet nga kronika e ngjarjeve, që të shtunën e kanë karakterizuar Kosovën.
Gjatë ditës së shtunë, pas një përleshjeje, një person ka humbur jetën në shkallët e nënkalimit në lagjen Pejton të Prishtinës. Nga burime të Gazetës Express brenda Prokurorisë së Prishtinës, personi i cili ndërroi jetë është 45 vjeçar nga Fushë Kosova i komunitetit rom.
Personi që ndërroi jetë ka jetuar jashtë Kosovës, konkretisht në Gjermani.
Familja e tij jeton në gjithashtu në Gjermani, e cila edhe për momentin gjendet atje.
Sipas burimeve të Express-it brenda Prokurorisë, përleshja fizike ka ndodhur mes tij dhe një personi tjetër, e që përveç grushteve, nuk janë përdorur edhe armë apo mjete të forta.
Prokuroria tanimë i ka pamjet e kamerave të sigurisë dhe është duke e hetuar rastin, por ende nuk dihen motivet pse ndodhi rrahja dhe si erdhi deri te vdekja e 45-vjeçarit.
Ndërkohë Prokuroria Themelore në Gjilan, më saktësisht Departamenti për Krime të Rënda njofton se një person i moshës 60 vjeçare ka bërë vetëvrasje.
Dyshohet se sot rreth orës 4 të mëngjesit në komunën e Vitisë, një person i moshës 60 vjeçare, nga fshati Tërpezë, për shkak të problemeve familjare ka kryer vetëvrasje, duke e qëlluan veten me armë zjarri në pjesën e kokës.
“I ndjeri është gjetur nga një dëshmitar në skaj të rrugës, pa shenja jete, me ç’rast menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, prokurori dhe mjeku kujdestar, ku me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë”, thuhet në një komunikatë për media të Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Me këtë rast janë sekuestruar përkohësisht:
Një automjet i markës ‘’Opel Astra’’, një armë e llojit ‘’Browning’’, kalibër 7.65 mm, një gëzhojë kalibër 7.65 mm, si dhe një karikator me shtatë fishekë të së njëjtës armë.
Në anën tjetër, një 27-vjeçar nga Kamenica ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike.
Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e Gjilanit përmes një komunikate për media.
“Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, më 19 korrik 2019, dyshohet se një person, i moshës 27 vjeçare nga komuna e Kamenicës, si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, në një trafo elektrike, në fshatin Breznicë, ka humbur jetën”, thuhet në njoftim.
Madje, i njëjti, sipas prokurorisë, ishte raportuar si person i zhdukur që nga data 17 korrik 2019.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar për obduksion në IML.
Ndërkaq një therje me thikë ka ndodhur në Vrellë të Istogut. Mësohet se i dyshuari është bashkëshorti i viktimës, e cila i ka 35 vjet.
E njëjta ka pësuar lëndime trupore edhe është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ku edhe po trajtohet.
Rastin si ‘vrasje në tentativë’ e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Driton Rugova.
Mirëpo, ai nuk ka treguar nëse bëhet fjalë për therje me thikë brenda familjes.
“Sot rreth orës 13 e 8 minuta, Policia është informuar se në Spitalin Rajonal të Pejës është sjell një person i lënduar, i gjinisë femër, e lindur më 1984, e cila është duke u trajtuar dhe, gjithnjë sipas mjekëve, gjendja është stabile. Në vend të ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante përkatëse dhe Prokurori i Shtetit. Dyshohet se viktima ka marrë plagë nga një mjet i mprehtë, thikë. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar dhe rasti po dyshohet si ‘vrasje në tentativë’, ka thënë Rugova./G.Hasani/Express