Një vet aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 11:25 në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, ku ka humbur jetën një person, teksa ka pësuar lëndime shoferi që dyshohet se ka shkaktuar vet aksidentin.
Prokurori kujdestar në Prokuroria Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur për se viktima është një 20-vjeçar, shtetas i Kosovës dhe ishte pasagjer në veturën që u vet aksidentua.
“Mund të konfirmoj që kemi një viktimë. Viktima është 20-vjeçar, shtetas i Kosovës. Ai ishte pasagjer, ndërsa kemi edhe një të dyshuar që është shtetas i Shqipërisë, i cili dyshohet se ka shkaktuar vet aksidentin”, tha Kryeziu.
Sipas tij, dyshimet e para janë se aksidenti është shkaktuar si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjetin.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka bërë të ditur se njësitë relevante policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.
“Sot, rreth orës 11:25 në autostradën “Ibrahim Rugova”, në kilometrin e 10-të është raportuar se ka ndodhur një aksident trafiku- vet aksident, ku si pasojë dyshohet se një person ka humbur jetën kurse një person tjetër ka pësuar lëndime trupore. Njësitet relevante policore i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore”, tha Kelani për Sinjalin.