Ishte korriku i vitit 2020 kur Violeta. D nga Malisheva lajmëroi stacionin më të afërt të Policisë se vajza e mitur i ishte zhdukur. I dyshuari Isref Avdiu dyshohet se në mëngjesin e datës 28, kishte marrë 14 vjeçaren A.D dhe ishin nisur drejt Beogradit. Policia e Kosovës rastin e ka cilësuar si ‘’trafikim me qenie njerëzore dhe bashkëjetesë me personin nën moshën 16 vjeç’’. Nëna akuzon organet kompetente për neglizhim rasti…
Bëhet fjalë për ish-partnerin e Violetës, Isref Avdiun, 59 vjeçar, me përkatësi ashkali nga komuna e Podujevës, që pas dy viteve bashkëjetesë, në një zbardhje të mëngjesit e kishte marrë vajzën e mitur prej shtëpisë së babait të saj në Malishevë dhe ishte nisur drejt Serbisë. Arsyetimi i tij ishte ky: Ne duhemi!
Periskopi ka mësuar se rasti nga Policia e Kosovës është inicuar në korrik të vitit 2020, por tek në janar të vitit 2022, Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore e ka proceduar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës. Çka ndodhi për një vit e gjysmë me hetime të një rasti kaq delikat e urgjent?
Periskopi ka marrë rrëfimin e nënës Violetë e cila në detaje ka treguar se si kishin rrjedhur gjërat që nga fillimi i rastit. Violeta thotë se tash gati dy vjet po e kërkon vajzën e saj, por e dëshpëruar akuzon organet e drejtësisë, policinë dhe prokurorinë se kanë bërë fare pak lëvizje në këtë drejtim.
‘’Prej 28 korrik, unë nuk e kam pa. Kam shku në polici, kam dhënë deklaratat. Kam shku në gjysmë n’8. Edhe nuk u bë më kurrgjë hiç. Meqë po jep deklaratë, i kanë marrë do shënime, i kanë paralajmëru kufinjtë. Sipas tyre, se po të ishin lajmëru, nuk ish dalë jashtë kufijve hiç, po s’i kanë lajmëru hiç.. Pse nuk është bë kurrgjë, as prej Policisë? Kufirin e ka kalu në orën 3 të ditës. Jo nuk kanë ndërmarrë. S’ka bërë kurrgjë’’, thotë nëna Violetë.
Tutje ajo tregon se s’kishte lënë mënyrë pa kërkuar drejt gjurmëve të të dyshuarit dhe viktimës, madje kishte shkuar ilegalisht edhe në Serbi për t’a lajmëruar policinë atje. Violeta. D tregon se çfarë përgjigje i kishte dhënë policia serbe asaj.
‘’Në Serbi kam dalë në kufi në të zezën, kam ec dy tri orë në këmbë derisa u dalë dikush andej me m’prit se kam dalë prej kufirit. Derisa kam dalë unë në këmbë dy tri orë. Kam shku, kam dhënë deklarata, kam shku në Novisad. Në Bujanovc, Preshevë, Medvegjë. Ku më kanë thënë se është, unë kam shku. Në qet vend e kemi pa, unë kam shku kam dhënë deklarata. Por nuk u bë kurrgjë. As aty, as aty, as aty…’’.
‘’Policia e Serbisë më kanë thënë se duhet me qenë urdhri i Policisë së Kosovës. Gjykata ia lëshon Policisë, Policia asaj të Serbisë. Kurse këta asnjëri. Nuk e di pse. Kisha dashtë me ditë arsyen edhe unë pse nuk bënë për qet fëmijë temin kurrgjë.’’, thuhet në rrëfimin e nënës për Periskopin.
Violeta ka ndarë disa fjalë që ia kishte thënë i dyshuari Isref Avdiu pas marrjes së vajzës.
‘’Çika është viktimë. Edhe jo që është viktimë, por viktimë e ekstremit nga një burrë i moshuar e ajo është fëmijë. Hala nuk i lejohet asaj me vendosë kurrgjë vet. Pa lejen e prindërve, kurse ai e ka marrë pa lejen e prindërve e ka qitë jashtë kufijve. Kurse e ka maltretu, e ka bë për veti. Ajo u kanë fëmijë, e paprekne, tash veç e ka shfrytëzu. Ku e di unë a e mban tash vet apo ia jep edhe dikujt tjetër në Serbi.
‘’Po jam shumë e sigurt, se e ka thënë edhe vet që ka thënë ka me mbajt sa ta mbaj vet, e në fund ka me ia lanë dikujt në Serbi. E ka thënë vet këtë. Goja e Isref Avdiut’’, thotë Violeta.
Periskopi ka siguruar edhe Kallëzimin Penal të rastit në fjalë. Aty figurojnë disa veprime të ndërmarra nga ana e Policisë së Kosovës në fillim të inicimit të rastit (korrik 2020), por deri në dhjetor 2021 nuk ishin intervistuar as familjarët e i dyshuari. Nuk dihet pse.
Tutje sipas Kallëzimit Penal, Policia e Kosovës kishte futur në ndalim policor të dyshuarin Isref Avdiun, por jo edhe viktimën 14-vjeçare (tash 16 vjeçe). Përpos kësaj, Policia kishte kontaktuar për verifikim të adresës të së dyshuarit në Beograd me Policinë e Serbisë, por jo edhe për intervistimin e tij.
Periskopi ka kërkuar zyrtarisht sqarime dhe detaje nga Policia e Kosovës, por ata ndonëse kanë kaluar 2 vjet nga inicimi i rastit, vendosën të mos qesin asgjë, me arsyetimin se mund të prishen hetimet.
‘’ Policia e Kosovës, në të gjitha rastet kur mund të jetë në fazën para hetimore, apo hetimore, e ku përmes deklarimeve cenon/pengon procesin e hetimeve nuk deklarohet për këto raste, me qëllim të mos pengimit të procesit të rasteve, për të cilat raste bashkëpunon ngushtë me prokuroritë kompetente’’.
Duke qenë se rasti është dërguar në janar të këtij viti në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, Periskopi i është drejtuar edhe këtij institucioni për sqarime, por deri tani nuk janë përgjigjur.
Kujtojmë që sipas Nenit 165 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Trafikimi me Qenie Njerëzore dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë (5) deri në dymbëdhjetë (12) vjet burgim./PERISKOPI/
Rrëfimi i plotë i nënës së viktimës: