Policia ka nisur hetimet për vdekjen e një 52-vjeçari në Skenderaj, i cili dyshohet se vdiq si pasojë e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Vdekja e tij u konstatua nga ekipi mjekësor i Emergjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj,
viktima është Driton Behrami nga fshati Abri e Ulët.
Çka dihet për vdekjen e tij e cila u cilësua e dyshimtë?
Sipas Policisë së Kosovës, babai i të ndjerit ka kërkuar ndihmën e ekipit mjekësor të Emergjencës, për shkak të gjendjes shëndetësore në të cilën ndodhej i biri.
Ekipi mjekësor pasi ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Policinë, e kanë pasur të pamundur që t’i ofrojnë ndihmë tashmë të ndjerit dhe janë larguar nga shtëpia e tij, për t’u kthyer sërish më vonë.
E, herën e dytë që shkuan në shtëpinë e 52-vjeçarit, ku i kanë dhënë një qetësues viktimës, e që gjithçka pasoi me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
“Rreth orës 09:40 në Stacion Policor është paraqitur prapë ankuesi pasi që sipas tij e kishte hapur derën ku qëndronte djali i tij dhe ka kërkuar që t’i dalin në ndihmë ekipi mjekësor. Rreth orës 09:45 të dy njësitë policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar prapë në atë lokacion ku nga ekipi mjekësor i është dhënë një qetësues, por pas disa minutave personit iu ka keqësuar gjendja në frymëmarrje dhe është dërguar në QKMF Skenderaj për trajtim, por mjeku kujdestar rreth orës 09:50 ka konstatuar vdekjen e tij pas një sulmi kardiak”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë lajmin për vdekjen e 52-vjeçarit e ka dhënë edhe babai i tij, i cili ka njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër [4 shkurt] në orën 13:00 në varrezat e fshatit Abri e Poshtme.
I njëjti ka njoftuar se i ndjeri ishte tri herë kampion i Kosovës në mundje për juniorë, ndërsa dy herë ishte nënkampion.
“Ndër të tjera ishte edhe kampion i Jugosllavisë në kategorinë e rëndë për junior dhe fitues i medaljes së artë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e familjes Behrami.