Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në Prishtinë, ku një burrë ka humbur jetën tragjikisht, pasi e kanë zënë disa panele druri teksa ishte duke punuar. I ndjeri ishte duke punuar në punëtorinë “Enisi”, ku e gjeti vdekjen,
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima që humbi jetën është Mexhid Raqi, 35-vjeçar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor pasi u dërgua në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Sinjali mëson se lidhur me rastin në cilësinë e personit të dyshuar është intervistuar pronari i punëtorisë, i cili ka deklaruar se 35-vjeçari nuk ka qenë punëtor i tij, por vetëm iu ka ndihmuar.
Ndryshe, në vendin e ngjarjes njësitet policore përkatëse kanë intervenuar posa rasti është raportuar, ndërsa trupi i pajetë është dërguar më pas në IML për obduksion.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Është raportuar se viktima mashkull kosovar kishte pësuar lëndime trupore pasi e kishin zënë disa panele druri. Lidhur me rastin, viktima është dërguar në QMF Prishtinë dhe nga mjeku kompetent është konstatuar vdekja e tij. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.”