Dyshohet se shtiu me armë verës në një aheng, Policia i shkon në derë 56-vjeçarit në Malishevë

Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve. E raste të tilla ndodh të zbulohen edhe pas një kohe, raporton Gazeta Sinjali.

Të njëjtin fat e pati një qytetar në fshatin Kërvasari në Malishevë, i cili dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar të mbajtur në muajin gusht.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Policia në koordinim me prokurorinë ka bastisur së fundi shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri dhe municion.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 56-vjeçari të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

/GazetaSinjali/