Dyshohet se Nezir Mehmetaj po keqtrajtohet në burgun e Serbisë
Kosovari, Nezir Mehmetaj, që nga janari i këtij viti vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Serbi, si i dyshuar për krime lufte. Familjarët dyshojnë se ai po keqtrajtohet atje. Ndërsa, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk janë deklaruar për këtë çështje.
Agron Mehmetaj, vëllai i Nezirit thotë për lajmi.net se janë duke pritur që t’i thërrasin për lirimin e tij. Mirëpo shprehet skeptik për këtë, për shkak se, siç thotë ai, kemi të bëjmë më një shtet si Serbia.
“Ne jemi duke pritur nga momenti në moment se mos po na thërrasin për lirimin e tij, por tash duke u bazuar të ajo se me kë kemi të bëjmë, tash edhe nuk po jemi të sigurt. Ne jemi të sigurt në pafajësin e tij që nga fillimi, por tash meqë e kanë marr edhe e dim që puna e tij është çështje politike, si i burgosur politike po më duket se jo ndonjë gjë tjetër”, ka thënë Mehmetaj për lajmi.net.
Mehmetaj dyshon se vëllai i tij është duke u keqtrajtuar në Serbi, pasi thotë se tashmë kanë kontakte me të vëllanë vetëm përmes avokatit.
“Përderisa nuk mundemi më shku në vizitë me pa ne si familjar, nuk mundemi as me i besu askujt, nuk ma merr mendja që mundet dikush me thënë, qoftë avokatë apo dikush, sepse komunikimin qe e kemi për momentin është vetëm përmes avokatëve. Avokatët po thonë që ne po shkojmë çdo ditë po e vizitojmë edhe mirë është më shëndete, ju ka përshëndetur, ju ka bërë të fala, por prapë se prapë, jo që nuk iu besojë avokatëve, por nuk ma merr mendja që edhe nëse ka maltretime ose diçka nuk tregojnë. Aj maltretime na prej këtu e dim që ka se u bënë 5 muaj që po mbahet padrejtësisht. Këtu me qenë në burg në shtet tendin e dim çfarë maltretime ka, e lerë më në burg të Serbisë, tu e dit kush janë e tek janë”, ka thënë tutje Mehmetaj.
Lajmi.net gjatë ditës ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të kuptuar më shumë rreth kësaj çështje, por të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigja.
Nezir Mehmetaj u arrestua më 4 janar të këtij viti në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Merdarë.
Mehmetaj cili jeton në Zvicër që nga koha e luftës, po mbahet në paraburgim me dyshimet se në periudhën e luftës “ka vrarë Ramadan Jelan dhe ka keqtrajtuar civilë”.
Ndërkohë në raportin vjetor të Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi theksohet se Prokuroria për krime lufte në Beograd gjatë vitit 2019 nuk ngriti asnjë aktakuzë të re për krime kundër civilëve shqiptarë në luftën e Kosovës.