Përderisa jemi në sezonin e verës, ku temperaturat e larta po vazhdojnë në vend, edhe rastet me helmime nga ushqimi janë më të shpeshta, duke bërë që në këto rrethana edhe të rrezikohet jeta e qytetarëve ku këta të fundit sidomos në këtë periudhë të pushimeve i frekuentojnë lokalet ku servohet ushqimi.
E një rast ku po dyshohet se ka pasur një rast helmimi me ushqim është edhe restorant ‘Beska’ në Prizren për të cilin është raportuar ditën e sotme se janë helmuar rreth 9 persona.
Megjithatë, për Sinjalin nga ky restorant e kanë mohuar se ka pasur një helmim të qytetarëve, por e kanë pranuar se kanë pasur disa probleme me inspektoratin sanitar.
“Nuk kemi pasur një rast të helmimit, por kemi pasur një problem me inspektoratin sanitar ngase si duket ka pasur disa ngecje në këtë proces’, deklaruan për Sinjalin nga ky restorant.
“Ju lutem le të kryhet njëherë rasti me inspektoratin, mandej edhe mund të flasim se si ka ndodhur ngjarja për gjithçka”, ishte deklarata e një personi i cili nuk deshi të identifikohet nga ky restorant.
E Sinjali ka tentuar që ta marrë edhe një deklaratë nga Inspektorati Sanitar në Prizren, lidhur me këtë rast, por që deri në momentin kur është botuar lajmi nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.