Prokuroria Themelore e Prishtinës sot ka njoftuar se janë bllokuar 24 prona dhe 11 villa në Prishtinë, Graçanicë dhe Novobërdë, të cilat kapin vlerën qindra mijëra euroshe, shkruan Gazeta Sinjali.
Në njoftim thuhet se kjo është ndërmarrë në vazhdën e veprimeve hetimore në çështjen penale kundër të pandehurit G.G, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shmangia nga Tatimi”.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për rastin e Granit Gojanit, pronar i GG Exclusive, për të cilin muaj më parë mediat kishin raportuar në vazhdimësi për mashtrim ndaj disa qytetarëve, me ç’rast më pas ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
Sipas raportimit të Nacionales, Granit Gojani ka marrë qindra mijëra euro nga të dëmtuarit për t’iu rregulluar vila druri, të cilat nuk i ka përfunduar kurrë, madje disa prej tyre as nuk i ka nisur.