Një nga pikat e Al Petrol në Pejë ka mashtruar qytetarët me çmimin e naftës. Nga 1.64 euro sa tregohej çmimi në tabelën informues, ai i është shitur qytetarëve për 1. 72 euro. Kjo kompani njihet për kurdisje të çmimeve, gjë për të cilën ishte dënuar më 1 milion euro nga shteti.
Pompa e derivateve Al Petrol ka mashtruar qytetarët me çmimin e naftës.
Në tabelën ku shihen çmimet e derivateve, thuhet se një litër naftë kushton 1.64 euro, derisa e njëjta u është shitur qytetarëve për 1.72 euro.
Gazeta Insajderi ka siguruar një video, përmes së cilës zbulohet mashtrimi i Al Petrol me qytetarët.
https://video.gjirafa.com/video-1646936017-mp4
Ky mashtrim ka ndodh në njërën nga pikat e Al Petrol, sot rreth orës 3, në Pejë.
Kur klientët e kanë pyetur menaxherin e pikës për këtë mashtrim, ai ka thënë se kanë një problem teknik, pasi sipas tij çmim rregullohet tek pika kryesore në Prishtinë.
“Nuk po rifreskohet sistemi edhe nuk dihet se sa vonon ndërrimi i çmimit”, i ka thënë menaxheri klientit.
Kompania Al Petrol është përfaqësuese për Kosovë e brendit të njohur Shell. Ajo është pronë e Arbër dhe Lulzim Kryeziut.
Arbër Kryeziu është biznesmen i përfolur për përfitim të lejeve të dyshimta të ndërtimit.
Ai ishte i përfshirë në rastin e madh të grupit të inspektorëve të Prishtinës, të cilët ishin denoncuar në prokurori nga Shpend Ahmeti në fillim të mandatit të tij si kryetar i Prishtinës.
Inspektorët janë dënuar me burgim për shkak të akuzave që nuk kishin parandaluar ndërtimet e kundërligjshme të disa kompanive, përfshirë objektin e Arbër Kryeziut të Al Petrol.
Po ashtu, kompania Al Petrol ishte e përfshirë edhe në skandalin e kurdisjes së çmimeve të naftës në vitin 2020.
Në maj të atij viti kjo kompani ishte dënuar me gjobë prej afro 1 milion eurosh nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Kjo kompani bashkë me disa te tjera hetohej nga shteti për krijim të kartelit në krijimin e çmimeve fiktive.