Nga 2-0 deri rreth 25 minuta para përfundimit, takimi mes KF Rahovecit dhe KF Suharekës në Ligën e Parë u mbyll me rezultat 3-2 për mysafirët.
Dy javë pas ndeshjes së turpshme Ulpiana-Vllaznia Pozheran, e cila nga Federata e Futbollit të Kosovës u konstatua të jetë e kurdisur, një tjetër ndeshje dyshohet se është kurdisur në futbollin e Kosovës.
Ulpiana dhe Vllaznia u dënuan me përjashtim nga liga.
Ky vendim ka prodhuar efekt dominoje në futbollin e Kosovës, me zërat që kanë nisur t’i denoncojnë edhe ndeshjet e tjera të dyshuara për kurdisje, sidomos në kategoritë më të ulëta të futbollit kosovar.
Presidenti i Ulpianës së dënuar për kurdisje, Jeton Gashi, nuk ka ngurruar të dielën në mbrëmje të flasë publikisht për dyshimet e kurdisjeve të ndeshjeve në Ligën e Parë. Udhëheqësi i Ulpianës, që dukej i pajtuar me vendimin për përjashtim nga liga të klubit të tij për kurdisje, tha se rreth 50 për qind të ndeshjeve në futbollin e Kosovës, dyshohet se janë kurdisur.
Ai tha se veçanërisht, të shtunën, dyshohet se është kurdisur loja Rahoveci-Suhareka, e vlefshme për Ligën e Parë të futbollit.
“Mua më thirri ai Bashkimi, drejtori i Dinamos [së Ferizaj, më tha ‘s’ke pa hala çerkuz me sy ju’. Më tha për këtë lojën Rahoveci-Suhareka. Më tha ‘çerkuz me sy ka qenë ajo’. Tash po presim prej Federatës”, tha Gashi. “Vallai po të garantoj 50% e lojërave janë të kurdisura në Kosovë, edhe në Ligën e Parë, edhe në Superligë”.
Ndeshja e njëjtë është denoncuar në publik të shtunën edhe nga ish-delegati i Kuvendit të FFK-së nga Rahoveci, Shaip Shala.
Shala, i cili është gazetar me profesion dhe udhëheq një portal lokal në Rahovec, ishte i pranishëm në ndeshjen Rahoveci-Dinamo, në Rahovec të shtunën.
Ai tha se ajo çka pa në lojë është e dyshimtë. Tha se do t’i vazhdojë hulumtimet për këtë ndeshje.
“Nëse i ka mbetur kryesisë së klubit tek imazhi i klubit ndër pesë më të vjetër në Kosovë, nëse ekziston pak ndërgjegje dhe moral, portieri i cili ka mbrojtur sot duhet larguar nga klubi qysh sonte automatikisht! Hulumtimet e mia rreth rezultatit prej 2:0 në 2:3 nuk do të ndalen aspak, të cilat i kam filluar menjëherë pas ndeshjes! Sepse KF Rahoveci e ka emrin e shenjtë në futbollin kosovar, dhe nuk meriton qasjen për t’u dyshuar”, tha Shala.
KF Rahoveci, në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, nuk e njoftoi epilogun final të takimit ndaj Suharekës të shtunën, por krejt në mbrëmje u lajmërua me njoftim për shkarkimin e trajnerit Granit Dervisholli.