Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit R.S., i cili akuzohet për veprën penale marrja e ryshfetit, ndërsa i pandehuri Sh.N., akuzohet se ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit.
Sipas njoftimit, trupi gjykues ka nxjerrë aktgjykim dënues për të akuzuarit R.S., duke i shqiptuar dënim 180 ditë burgim, gjobë në shumën 1.000 euro, ndalim të ushtrimit të profesionit në afat prej dy vjetësh, si dhe e ka urdhëruar t’ia paguajë të pandehurit – dëmtuarit Sh.N., shumën prej 1.000 eurove, të cilën e ka përfituar si rezultat i kryerjes së veprës penale.
Ndërsa për të akuzuarin Sh.N., dënim prej 120 ditë burgim dhe 500 euro gjobë.
Derisa thuhet se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Njoftimi i plotë:
300 ditë burgim, 1500 euro gjobë dhe 2 vjet ndalim i ushtrimit të profesionit ndaj R.S. dhe Sh.N., për veprat penale marrje të ryshfetit dhe dhënie të ryshfetit
ℹ Gjakovë, 29 nëntor 2023 – Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit R.S., i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa i pandehuri Sh.N., sipas aktakuzës, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, të Kodit Penal të Kosovës.
Trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave, ka ardhur në përfundim se të akuzuarit kanë kryer veprat penale si në aktakuzë dhe ka nxjerrë aktgjykim dënues për të akuzuarit R.S., duke i shqiptuar dënim njëqind e tetëdhjetë (180) ditë burgim, gjobë në shumën prej njëmijë (1000) euro, ndalim të ushtrimit të profesionit në afat prej dy (2) vjet, si dhe e ka urdhëruar t’ia paguajë të pandehurit – dëmtuarit Sh.N., shumën e të hollave prej njëmijë (1000) euro, të cilën e ka përfituar si rezultat i kryerjes së veprës penale. Ndërsa për të akuzuarin Sh.N., dënim prej njëqind e njëzet (120) ditë burgim dhe pesëqind (500) euro gjobë.
I pandehuri R.S., është gjetur fajtor sepse, “në mes të datës 06 deri 15 korrik 2021, në Gjakovë, në lokalin “N.N…-1”, rreth orës 12:20 min, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, në cilësinë e anëtarit të komisionit të elektroteknikës për super ekspertizë të caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Ekonomike, me aktvendim të dt.17.03.2020, në çështjen me nr. III.EK.165/19, ku paditës ishte Sh.N. – pronar i subjektit “V.N.”, në fsh. Llukë e Epërme, Komuna e Deçanit, ndërsa e paditur KEDS-Prishtinë, i pandehuri i ka bërë thirrje telefonike të dëmtuarit Sh. N., kërkon të takohet me të në Gjakovë, takohet në lokalin ”N.N…-1” dhe në bisedë e sipër, i dëmtuari i thotë se është lodhë nga pritja e lëndës që e ka në Gjykatë për dëmin që ka pasur nga djegia e shtallës, ndërsa i pandehuri i përgjigjet duke i thënë: “për këtë duhet të paguaj”, lidhur me këtë të njëjtit në fillim nuk pajtohen mes vete për shumën fillestare, mirëpo më pas bijën në ujdi që njëherë ti merr 1000 euro, të cilat atë ditë i sjellë vëllai/dëshmitari I.N. nga Deçani pasi e thirre në telefon i dëmtuari Sh.N., i cili i thotë: a ke pare me vete, se po më duhen, ashtu që i njëjti i përgjigjet, po kam, menjëherë i’a sjellë Sh.N., tek lokali ku po rrinin që të dy, e të cilën shumë prej 1000 euro, i dëmtuari i’a dorëzon të pandehurit duke i thënë: “kryje punën dhe thirrëm në telefon që kreva punë, t’i sjelli edhe 500 të tjera”, për çka më pas, pas disa ditësh i pandehuri bënë përshpejtimin e punës së tij si anëtar i ekipit të ekspertëve dhe Raporti i Super Ekspertizës me nr.III.EK.165/19, përfundon së punuari në Korrik 2021.” Me çka ka kryer vepër penale të marrjes së ryshfetit.
I pandehurit Sh.N., është gjetur fajtor sepse, “në mes të datës 06 dhe 15 korrik 2021, në Gjakovë, në lokalin ”N.N…-1”, në cilësinë e paditësit të subjektit “V. N.”, me seli në fsh. Llukë e Epërme, Komuna e Deçanit, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore tek personi tjetër, të pandehurit R.S., i kërkon që të ja përshpejton lëndën pasi është lodhë nga pritja e vendosjes së Gjykatës në Prishtinë, dhe për këtë ka pasuar përgjigja: “për këtë duhet të paguaj”, dhe me të rënë në ujdi për shumën, i pandehuri i kërkon para në telefon vëllait të tij – dëshmitarit I. N., dhe pasi i njëjti ja sjellë nga Deçani, ku ja jep 1.000 Euro dhe i pandehuri po ashtu i’a dorëzon në dorë të pandehurit R.S., duke i thënë: “kryje punën dhe thirrëm në telefon që kreva punë, t’i bi edhe 500 të tjera”, ashtu që pas disa ditëve, në fund të muajit korrik të vitit 2021 i përfundohet së punuari Raporti i Super ekspertizës për të, për çka edhe i kishte dhënë parat.” Me çka ka kryer vepër penale të dhënies së ryshfetit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës