Më 27 nëntor, të dy kuvendet dhe qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, do të takohen në Tiranë, për të mbajtur një mbledhje solemne për të përkujtuar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për Radio Kosovën, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi. Ai ka folur për marrëveshjet ndërmjet dy vendeve, procesin e Berlinit dhe Ballkanin e Hapur, si dhe për shumë çështje të tjera.
Radio Kosova: Zotëri ambasador, 110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, si i gjen shqiptarët në Ballkan?
Qemal Minxhozi: Shqiptarët i gjen më të bashkuar se herë të tjera do thosha, sepse janë disa arritje sidomos në bashkëpunimin ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, por edhe Shqipëri e Maqedoni e Veriut, në qeverinë e së cilës sot, faktori shqiptar është një element shumë i rëndësishëm. Janë bërë mbledhje të qeverive ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, të cilat kanë dhënë efekte të rëndësishme në bashkëpunimin dypalësh. Ajo që është më e prekshmja, është fillimi i studimit të fizibilitetit të hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën. Kjo është një arritje shumë interesante, janë caktuar edhe fondet dhe shpresojmë që në fund të vitit të ardhshëm projekti të jetë i përfunduar edhe urojmë që të jemi gati për të përuruar fillimin e punimeve. Besoj që është një ndër shtyllat kryesore të këtij bashkëpunimi gjatë këtij viti. Gjithashtu, me shumë interes është që sivjet ka qenë një lëvizje e relaksuar ndërmjet dy anëve të kufirit. Ne kemi rënë dakord që fundjavat ndërmjet Shqipërisë e Kosovës të jenë pa kontrolle. Pra, njerëzit kanë lëvizur më shumë dhe pengesat kanë qenë krejt minimale. Në këtë kuadër, është relaksuar edhe marrëdhënia në vijën kufitare ndërmjet Shqipërisë e Kosovës në zonën e Dragashit e Shishtavecit, ku është lejuar kalimi i të gjitha mjeteve jo vetëm lokale, por edhe më gjerë, që bjeshkët e Kosovës dhe Shqipërisë të vizitohen nga turistë vendas e të huaj. Tjetra pastaj, prapë në lëvizjen e kufijve janë hequr lejet e qëndrimit me procedura shumë më të shkurtuara. Pra, një njeri që merr një leje pune njëherë në Kosovë, ka të drejtë që të ketë një leje qëndrimi pesë vjeçar dhe për herë të dytë kjo leje do të jetë e përhershme. Në njëfarë mënyre është arritur ai shëngeni mes nesh në mënyrën më të mirë të mundshme. Po punohet gjithashtu, që për popullsitë që janë në vijën e kufirit në një territor prej 30 kilometrash nga Morina e në territorin e Shqipërisë më poshtë dhe nga Vërmica deri afër Malishevës, Gjakovë, Pejë e me radhë, do të ketë një regjim tjetër kufitar, që njerëzit do të kenë lëvizshmërinë shumë më të lehtë se më parë. Kjo tregon që janë ndërmarrë disa gjëra, që njerëzit i kanë diskutuar prej kohësh. Natyrisht, edhe në fusha të tjera, atë të arsimit kemi Abetaren e përbashkët.
Radio Kosova: Të dy qeveritë, e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, kanë mbajtur disa mbledhje të përbashkëta dhe janë nënshkruar shumë marrëveshje në interes të të dyja vendeve? A mund të na thoni sa për qind e këtyre marrëveshjeve kanë gjetur zbatim këtej dhe andej?
Qemal Minxhozi: Këtë vit ka një korrigjim, ka një saktësi më të madhe të marrëveshjeve dhe më të prekshme. Pra, ka një vijueshmëri shumë pozitive. Këto tri marrëveshjet që kanë të bëjnë me lejet e qëndrimit, lëvizjen në kufij, liberalizimi i kufirit, hekurudha, Abetarja dhe energjetika, janë disa gjëra që qytetarët i kanë ndjerë. Dalim te fusha e energjetikës, ku Kosova dhe Shqipëria kanë vendosur një regjim të përbashkët për energjinë elektrike, për import dhe eksport. Kur ka nevojë Shqipëria merr nga Kosova dhe nga ana tjetër. Natyrisht, tani jemi në kushte të pafavorshme moti, sepse sistemi energjetik në Shqipëri është hidro. Gjithsesi, ajo që është e rëndësishme, është hedhur një bazë shumë e rëndësishme, që në kohët kur ne do kemi mundësi për të eksportuar energji elektrike, partneri ynë kryesor do të jetë Kosova. Kjo do të bëjë që do shkojmë me njëri-tjetrin në një bazë kliringu pa çmime, do me thënë kaq kilovatë orë kemi marrë në dimër, do t’i kthesh në verë e kështu me radhë.
Radio Kosova: Meqë jemi te energjetika, ku tashmë dihet që ky sektor është në krizë në vendet evropiane, e për këtë arsye ka edhe ngritje të çmimeve. A po bëhet diçka më shumë për sa i përket bashkëpunimit në këtë fushë?
Qemal Minxhozi: Çështja është që ne jemi në kushtet e një krize evropiane për sa i përket energjisë. Deri tani, të dy qeveritë tona kanë arritur të menaxhojnë këtë situatë. Tani varet se si do shkojë, sepse kjo lidhet edhe me bursën ndërkombëtare, lidhet edhe me shumë faktorë të tjerë. Por, ne do të bëjmë çmos që të jetë e mundur, që ato mundësi sa do pak që na krijohen midis nesh, sepse ne nuk jemi eksportues, ne jemi nevojtarë, jemi importues të energjisë elektrike dhe në kushtet e tjera, ku Shqipëria do të jetë në një situatë të favorshme hidro-energjetike, besoj që do të zbatohen marrëveshjet që i kemi biseduar.
Radio Kosova: Zotëri ambasador, përveç këtyre marrëveshjeve për hekurudhën dhe energjetiken, cilat janë disa nga marrëveshjet e tjera të rëndësishme në fushën e ekonomisë?
Qemal Minxhozi:Ka një përmirësim në fushën e doganave, ku po shikohen mundësitë për të bërë ndryshime në legjislacion, që doganat të përafrohen sa më tepër që është e mundur, ku vonesat në kufij e disa elemente burokratikë të hiqen. Natyrisht, këto nuk bëhen menjëherë, pasi kërkojnë akte normative qeveritare e ndryshime ligjore, e tjera me radhë. Ajo që është e rëndësishme, është një fakt që mallrat sot midis Shqipërisë dhe Kosovës, këmbehen më me lehtësi se sa në të kaluarën dhe këtë e tregon edhe volumi i transportit, që është rritur volumi tregtar. Dua të them që në ekonomi ecin përpara gjërat nëse i heqim barrierat dhe barrierat nuk mund të hiqen në një ditë, por është një proces.
Radio Kosova: Kryeministri Rama pat deklaruar se të dyja palët kanë përcaktuar një grup punues për ngritjen e përbashkët të ekipit të punës, në mënyrë që të vihen në zbatim të gjitha marrëveshjet. Çfarë po bëhet konkretisht?
Qemal Minxhozi: Po, është një koordinator i përbashkët, që ka filluar punën në këtë drejtim. Koordinatori i përbashkët, ka tani grupet e veta punuese si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe vepron si një trup përbashkues. Në këto kushte, unë do të thosha që është shumë e rëndësishme që ne kemi arritur të unifikojmë disa praktika të përbashkëta, prandaj edhe mbledhja e të dy qeverive ishte që të ndiqen në vazhdimësi nga ky grup punues të gjitha problematikat që mund të ketë në fusha të ndryshme, që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga dy qeveritë.
Radio Kosova: Në këtë përvjetor, pritet të organizohet Kuvendi i përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. A mund të na flisni pak për aktivitetet e kësaj dite?
Qemal Minxhozi: Më 27 nëntor, të dy kuvendet dhe qeveritë, e Shqipërisë dhe e Kosovës, do të takohen në Tiranë, për të mbajtur një mbledhje solemne për të përkujtuar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është hera e parë që organizohet, detajet ende nuk janë dhënë, por ajo që është e rëndësishme që një vendim i cili u mor ndërmjet dy qeverive, po gjen zbatim sot.
Radio Kosova: Zotëri ambasador, të kthehemi te zhvillimet në vendin tonë. Si e shikoni situatën e fundit që u krijua në veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë për targat dhe thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare që çështja e targave të shtyhet, në mënyrë që të mos krijohen tensione?
Qemal Minxhozi: Është një çështje shumë delikate. Nga pikëpamja institucionale, Kosova ka gjithë të drejtën e saj që të unifikojë veprimet që kanë të bëjnë me targat si në veri, jug, lindje e perëndim. Është një vendim i shtyrë disa herë, dhe prapë se prapë kërkohet një shtyrje. Por, nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh se kjo shtyrje është e lidhur edhe me situatën gjeopolitike që po krijohet në rajon. Duhet të kemi parasysh që edhe ndërmjet Kosovës e Serbisë janë disa probleme shumë serioze, që pavarësisht frymës që u krijua nga viti 2013 e 2014, që u nënshkruan disa marrëveshje, ecuria ka qenë pothuajse minimale. Sot, ndodhemi në një konflikt do të thosha, sa institucional, por edhe më gjerë se kaq. Nuk dua të bëj rolin e gjykatësit në këtë çështje, por ajo që kërkohet është që ndërmjet Kosovës e Serbisë patjetër duhet të ketë një zgjidhje afatgjatë. Prandaj, uroj që të veprohet me maturi e me kujdes, në mënyrë që të mos ndodhemi para situatave të papritura.
Radio Kosova: Sa mund të dëmtojë kjo situatë procesin e dialogut për të arritur një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe procesin e integrimeve evropiane, përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave?
Qemal Minxhozi: Duhet të kemi parasysh diçka se situata ndërmjet Kosovës e Serbisë gjithmonë ka pasur jo një trajektore të drejtë harmonike në krahasim me kërkesat që ka bërë bashkësia ndërkombëtare. Është një proces shumë i vonuar, një proces që është neglizhuar dhe një proces që ka dëmtuar interesat si të Kosovës dhe Serbisë, për sa i përket rrugës së anëtarësimit në institucione ndërkombëtare, e më e rëndësishmja në Bashkimin Evropian. Çështja është se tani kërkohet një maturi, kërkohet një vizion më i qartë se sa ai i momentit, kërkohet që palët të bëjnë lëvizje të tilla, që pa dëmtuar procesin të shikojnë të gjejnë një zgjidhje sa më të pranuar për palët. Një zgjatje e këtij procesi ndikon negativisht edhe për të ardhmen e Kosovës, siç mund të jetë jo vetëm liberalizimi i vizave, por edhe shumë procese të tjera që Kosova ka shumë nevojë për to. Duhet të kemi parasysh që politika është si tango, ku janë dy veta që e luajnë këtë rol dhe është e rëndësishme që secila palë duhet të bëjë reflektimet e veta. Nuk është puna që topi është në njërën anë, topi është në mes të fushës dhe të dy ekipet duhet ë jenë të përgjegjshme për të parë që ky proces duhet të vazhdojë. Dialogu është një domosdoshmëri e jashtëzakonshme për zhvillimin e Kosovës dhe Serbisë. Për dialogun interesimi ndërkombëtar nuk ka të bëjë thjesht me interesat e tyre, por interesimi i strukturave euroatlantike është që kjo pjesë e rajonit tonë të gjejë paqe, sepse është shumë e kërcënuar nga shumë shantazhe, që vijnë edhe si rezultat edhe i luftës në Ukrainë. Konfiguracioni gjeopolitik sot i kësaj pjese të Evropës është i vështirë për t’u perceptuar si para dy-tri viteve. Bota ka ndryshuar, duhet të ndryshojmë edhe ne.
Radio Kosova: Zotëri Ambasador, nisma e Ballkanit të Hapur, që synon thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të rajonit, është kundërshtuar nga Kosova. Si mund të vazhdojë ky proces, pa pjesëmarrjen e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor? A bie ndesh Ballkani i Hapur me Procesin e Berlinit?
Qemal Minxhozi: Duhet të kemi parasysh lajmet e fundit. Procesi i Berlinit është ri-organizuar dhe ka marrë një forcë më të madhe. Nuk ka pse të merremi me këtë apo atë nismë. U mendua që ‘Ballkani i Hapur” mund të jetë një shtytje shumë e madhe e proceseve përbashkuese të vendeve të Ballkanit. U kundërshtua nga Kosova, por nuk ka pse të merremi me një histori, e cila u mendua që do të jepte një produkt për të gjashtë vendet e Ballkanit dhe nuk u arrit kjo. Por, gjithsesi si Kosova edhe Shqipëria, është e rëndësishme që të merren jo me emërtimet, por të merren me ato që mund të afrohen. Pjesëmarrja e liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë në mbledhjen e fundit që u organizua në Berlin, tregoi që janë të përkushtuar për të zbatuar me devotshmëri të gjitha detyrimet që dalin nga kjo nismë që e ka zanafillën shumë vite më përpara, në kohën e zonjës Merkel. Çështja është që në radhë të parë kërkohet që të ketë qetësi dhe kështu mund të bëhen gjëra shumë më të vlefshme. Kërkohet edhe njëherë që palët të lënë pozicionet e të ulën në diskutime, në radhë të parë ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe më gjerë. Çështja është që ne kemi interesa të përbashkëta, gjithsecili prej nesh, jemi shtete të vogla dhe është e domosdoshme që ne të kemi harmonizim të veprimeve tona. Jemi një pjesë e vogël e Evropës, por që kemi një peshë të rëndësishme edhe për stabilitetin këtu e më gjerë. Prandaj, kërkohet që bashkëpunimi ynë të jetë në shkallë më të lartë, t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të shikojmë për përparimin tonë, të qytetarëve dhe jo thjesht të qytetarëve, por edhe të ambicieve tona për të ardhmen që të ecim edhe më përpara. Ky është qëllimi kryesor, prandaj nisma e zonjës Merkel, e pasuar tani edhe nga kancelari i ri i Gjermanisë, ka parasysh këto qëllime. Ne duhet t’i bashkohemi vullnetit të mirë të aleatëve tanë gjeostrategjikë dhe të ecim përpara me veprime konkrete.
Radio Kosova: Kuvendi i Shqipërisë, miratoi sivjet një rezolutë kundër akuzave për trafik organesh në Kosovë dhe Shqipëri, gjatë luftës në Kosovë. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu drejtua Këshillit të Evropës, ku kërkoi rishikimin e Rezolutës për raportin e Dick Marty, dhe të shpallë të pabazuara akuzat e tij. Çfarë pritet tani pas kësaj?
Qemal Minxhozi: Ne kemi pasur një histori përpara Dick Marty, me Carla del Ponte në Shqipëri dhe atëherë klasa politike në Shqipëri u ngrit kundër atyre deklaratave monstruoze, që janë të njëjta siç ka bërë Dick Marty, vite më vonë. U hodhën me neveri poshtë edhe nga institucionet e Shqipërisë në atë kohë. Tani, duke pasur parasysh akuzat që u janë bërë udhëheqësve kryesorë të UÇK-së, janë pak a shumë të njëjta me ato të Carla del Ponte-s. Deri tani asnjë nga ato akuza nuk është provuar në Hagë, pavarësisht se po kalon viti i dytë dhe nuk ka asnjë zhvillim përse u ngrit kjo gjykatë. Prandaj, Qeveria e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama, tani në kohën që asgjë nuk është provuar, tregojnë falsitetin e të gjitha akuzave që ngrihen për drejtuesit kryesorë të UÇK-së.