Ditët kalojnë dhe pritjes po i vjen fundi. Së shpejti FSHF-ja do të zyrtarizojë edhe emrin e ri që do të pasojë Edi Rejën në krye të bankinës.
Lista është ngushtuar së tepërmi dhe “Euronews Albania” ka zbuluar dy kandidatët përfundimtarë për të marrë drejtimin e Shqipërisë.
Dilema është mes Cambiasos dhe Ruedës.
Esteban Cambiasso është një ish-futbollist argjentinas me një karrierë mjaft të pasur, ku ka mbajtur veshur fanella me peshë si ato të Realit të Madridit dhe Interit, si dhe të Kombëtares së Argjentinës.
Por sa i përket trajnimit, 42-vjeçari ka provuar vetëm pozicionin e ndihmës-trajnerit.
Ndërkohë Reinaldo Rueda vjen me një jetëshkrim të pasur në fushën e trajnimit të ekipeve.
Kolumbiani 65-vjeçar ka përvojë të madhe në menaxhimin e Kombëtareve, teksa më parë ka drejtuar Kolumbinë, Kilin, Hondurasin, me të cilët ka pasur edhe pjesëmarrje në Kupën e Botës apo pozicione të larta në Kupën e Amerikës së Jugut
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e Federatës Shqiptare të Futbollit.