Katërmbëdhjetë ditë pas tërmetit të 6 shkurtit, Turqia vendosi sot të pezullojë operacionet e kërkim-shpëtimit në të gjitha zonat me përjashtim të dy provincave më të prekura, Kahramanmaras dhe Hatay.
“Në një numër të madh provincash përpjekjet e kërkimit kanë përfunduar. Ato do vazhdojnë në provincat e Kahramanmaras dhe Hatay, në rreth 40 ndërtesa”, tha Yunus Sezer, kreu i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të Turqisë.
Mbi 40,500 të vdekur në Turqi
Tërmeti me magnitudë 7.8 shkaktoi shkatërrime të mëdha në pjesën jugore të vendit dhe Siri dhe vrau 40,689 njerëz në Turqi, sipas të dhënave të fundit zyrtare të publikuara sot nga Afad.
Zëvendëskryeministri turk Fuat Oktay tha se 105,000 ndërtesa janë shembur ose janë dëmtuar rëndë dhe do të prishen.
Në të njëjtën kohë, janë të shumtë ata që tani luten që të gjenden trupat e të dashurve të tyre që të mund t’i varrosin.
“Kur nxirret një trup nën rrënoja, familjet presin me shpresë, Ata duan të bëjnë një funeral. Ata duan një varr,” tha Bozkurt.
Sipas traditës islame, të vdekurit duhet të varrosen sa më shpejt që të jetë e mundur.
As Turqia dhe as Siria nuk kanë bërë të ditur se sa persona janë ende të zhdukur pas tërmetit.
Përpjekjet e fundit për të shpëtuar të mbijetuarit
Në një nga përpjekjet e fundit për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat, 12 ditë pas tërmetit vdekjeprurës, ekipet e shpëtimit filluan të heqin e rrënojat me dorë në një vend ku operacionet e shpëtimit ishin duke u zhvilluar në Antioki mbrëmjen e të shtunës së kaluar.
Qentë e stërvitur dhe kamerat termike kishin zbuluar shenja jete nga dy persona, sipas ekipeve të shpëtimit, por pak pas mesnate, tetë orë pasi nisën përpjekjet për t’i nxjerrë ata, ekipet ndërprenë përpjekjet e shpëtimit.
“Askush nuk është gjallë, nuk besoj se mund të shpëtojmë më njerëzit,” tha anëtari i AFAD, Mujdat Erdogan.
Një ekip nga Kirgistani u përpoq të shpëtonte një familje siriane me pesë anëtarë nga rrënojat e një ndërtese në Antioki në Turqinë jugore.
Dje tre persona, mes tyre edhe një fëmijë, u nxorrën të gjallë nga rrënojat. Nëna dhe babai mbijetuan, por fëmija më vonë vdiq nga dehidratimi, sipas ekipit të shpëtimit. Motra e tij më e madhe dhe vëllai i tij binjak gjithashtu nuk ia dolën.
Miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se rreth 26 milionë njerëz në Turqi dhe Siri kanë nevojë për ndihmë humanitare.
Sekretari amerikan i shtetit pritet të mbërrijë sot në Turqi për të diskutuar mënyrat se si Uashingtoni mund të ndihmojë më tej Ankaranë në përpjekjet e saj për t’u marrë me pasojat e fatkeqësisë më të keqe natyrore në historinë e saj moderne.
Hetimet vazhdojnë në Siri
Në Siri, është raportuar se kanë vdekur më shumë se 5,800 njerëzve, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) ka njoftuar se autoritetet në veriperëndim të vendit po bllokojnë hyrjen në zonë.
“Kjo i ndërlikon operacionet tona. Duhet të zgjidhet menjëherë”, tha drejtori i WFP, David Beazley në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Shumica e viktimave në Siri janë në veriperëndim, një zonë e kontrolluar nga rebelët që janë në luftë me qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad.
Mijëra sirianë që kishin ikur në Turqi për t’i shpëtuar luftës civile të vendit të tyre janë kthyer në shtëpi në zonën e luftës të paktën tani për tani. /abcnews.al