DY DIMRAT E ATDHEUT

DY DIMRAT E ATDHEUT

Jashtë nesh në oborr
si përherë bën nxehtë e bën ngrohtë
për kurtizane, për karagjozë,
kurse pranë gurit të oxhakut
gjunjët ende digjen
e shpina ende mërdhin
prej gurëve të shpuar
në murin e vjetër të shtëpisë.

LAOOKONT NË SHI

S’kishe si vije
në orën e madhe letrare ti,
Laookont që s’mund të lexosh,
skulpturë e holluar
nga litarët e kurorave.
Matanë dritares në shi
desh u zgjove ti për pak nga një varg,
Laookont pa gojë,
bukuri e holluar
nga zinxhirët e kurorave.

Matanë dritares nën këtë shi
desh u zgjove, desh na rrëzove ti.

LETËR PA ADRESË

Paska dhe letra pa adresë,
ashtu siç ka zogj që kanë humbur çerdhet,
ashtu siç ka në kube të qiellit aeroplanë
që të tmerruar duan të flasin me tokën.

Paska dhe letër që s’ka kujt t’i drejtohet,
por që kurrë nuk bie në abiset e harresës,
sepse ruan me çdo çmim kumtin, njoftimin,
siç ruajtën nderin gratë e Sulit.

Paska dhe letra si kjo imja
që ruan përbrenda gjithnjë
dimrin dhe pranverën e marsit 1981,
kalvarin e mundimit
mangallin e spiunimit.