Skuadra e Dukagjinit i humbi dy ndeshjet e para të edicionit 2024/2025 të Superligës së Kosovës në futboll.
Por më pas ekipi nga Klina i fitoi dy ndeshjet e tjera.
Dukagjini, që drejtohet nga Ismet Munishi, në hapje të kampionatit pësoi 2:0 nga Ballkani në Suharekë. Si mysafir humbi edhe nga ekipi i promovuar në Superligë, Suhareka, me rezultatin 3:1.
Fitoren e parë Dukagjini e arriti në xhiron e tretë. Fitoi 2:1 në Klinë ndaj Gjilanit. Ndërsa në xhiron e katërt mposhti në Drenas skuadrën Feronikeli 74 me rezultatin 2:0.
Pushimin për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, skuadra e Dukagjinit po e shfrytëzon për ngritje të mëtejme të formës.
Trajneri Munishi vlerëson se më mirë kanë luajtur në ndeshjet që i humbën se në ato që i fituan.
“Superliga e Kosovës këtë vit është shumë e vështirë. Unë jam i kënaqur me ecurinë deri këtu. Kemi treguar ndeshje të mira, ndoshta ndeshjet më të mira kanë qenë ato që i kemi humbur se këto ndeshje që i kemi fituar. Kjo tregon vështirësinë e Superligës. Ne duhet të vazhdojmë me punë. Duhet të vazhdojmë me pasionin e njëjtë dhe besoj që nuk do të mungojnë edhe rezultatet pozitive”, ka thënë Munishi për KOHËN.
Munishi, njëri prej emrave më të njohur të futbollit kosovar, në postin e trajnerit të Dukagjinit e zëvendësoi Armend Dallkun. Ai është optimist për suksese me Dukagjinin, që tashmë është prej skuadrave stabile të Superligës.
“Unë besoj dhe jam i bindur që do të kemi sukses me Dukagjinin. Sepse kemi bërë një punë shumë të mirë. Kushtet janë shumë të mira për punë. Jemi klub i organizuar shumë mirë. Ne bazohemi te puna dhe kuadri i futbollistëve që kemi. Unë besoj që kemi kuadër shumë të mirë të futbollistëve. Kemi futbollistë me shumë përvojë që e njohin Superligën. Kemi edhe futbollistë të rinj që janë shumë të talentuar. Deri këtu jam shumë i kënaqur dhe besoj që do të kemi shumë sukses me Dukagjinin”.
Ndeshjen e ardhshme Dukagjini do ta luajë më 14 shtator, në shtëpi ndaj skuadrës së Malishevës.
49-vjeçari Munishi e respekton Malishevën, por planifikon tri pikë të reja.
“Ne do të përgatitemi si për çdo ndeshje tjetër. Skuadra e Malishevës ka shumë kualitet, e respektojmë si kundërshtare. Ka futbollistë të jashtëzakonshëm, por gjithsesi Dukagjini edhe kur nuk kam qenë unë trajner i kësaj skuadre, ka qenë kundërshtar shumë i fortë si vendës. Ne në çdo ndeshje shkojmë për fitore. Objektivi dhe synimi i jonë është që ta fitojmë ndeshjen. Por do të varet si do të rrjedh ndeshja. Nëse do ta bëjmë më të mirën në fushë, do ta marrim fitoren”, ka theksuar Munishi.
Qendërmbrojtësi i Dukagjinit, Ilir Syla, ishte shënues i një goli në fitoren ndaj Feronikelit 74. Ai pret që me mbështetjen e tifozëve të arrijnë fitore ndaj Malishevës.
“Ndjenjë mjaft e mirë shënimi i golit, por ndjenja më e mirë ishte fitimi i tri pikëve. Në ndeshjen e ardhshme ndaj Malishevës, me mbështetjen e tifozëve, me formën e mirë që e kemi për momentin, shpresojmë që të arrijmë pikët e plota”, u shpreh Syla.
Fitore ndaj Malishevës pret edhe Hekuran Berisha. Ai realizoi gol ndaj Suharekës.
“Besoj që në ndeshjen e ardhshme ndaj Malishevës do të kemi rezultat pozitiv, sepse jemi duke u përgatitur shumë mirë. Ndeshja ndaj Malishevës do të jetë kryesore për t’i fituar tri pikët në shtëpinë tonë dhe për të vazhduar tutje për sukseset e ardhshme”, ka thënë Berisha.
Dukagjini është në pozitën e pestë në tabelë me gjashtë pikë. Synon që të sigurojë daljen në gara evropiane.