Te Dukagjini janë të vendosur që deri në fund të këtij edicioni të luftojnë për pozitën e katërt në Superligën e Kosovës në futboll, e cila pritet të sigurojë pjesëmarrjen në garat evropiane. Për t’i mbajtur gjallë shpresat për dalje në Evropë për herë të parë në histori të klubit, Dukagjini duhet ta mposhtë skuadrën e Malishevës.
Dueli mes Dukagjinit dhe Malishevës zhvillohet të shtunën prej orës 15:00, në stadiumin “13 Qershori” në Klinë dhe i takon xhiros së 33-të të elitës së futbollit kosovar. Dukagjini aktualisht zë vendin e pestë në tabelë me 41 pikë, dy më pak se Prishtina që është e katërta. Ndërkohë, Malisheva është larguar paksa nga zona e rënies pas një serie të mirë në ndeshjet e fundit. Ka tubuar 39 pikë dhe renditet e shtata në tabelë. Kjo pozitë siguron mbetjen në elitë.
Skuadra nga Klina në duel kundër Malishevës futet pas humbjes që e pësoi të mërkurën në udhëtim te Gjilani (2:0). Për Dukagjinin ishte humbja e parë pas një serie prej tri barazimeve dhe dy fitoreve. Fitorja ndaj Malishevës jo vetëm që do ta mbante Dukagjinin në garë për pozitën e katërt, por edhe do të ishte reagim i shpejtë pas humbjes në Gjilan. Dukagjini do të jetë pa qendërmbrojtësin Ardin Dallku, i cili ndaj Gjilanit u ndëshkua me karton të kuq.
Kapiteni Elton Basriu është i bindur në triumfin e Dukagjinit duke pasur parasysh se do ta ketë edhe përkrahjen e tifozëve. Ai ka thënë se Dukagjini do të mundohet ta mbyllë edicionin sa më lart që është e mundur dhe në katër ndeshjet e fundit do të bëjë të pamundurën për të siguruar paraqitjen në Ligë të Konferencës.
“E kemi parasysh se na pret një ndeshje shumë e vështirë pasi Malisheva ka treguar paraqitje të mira dhe është në seri të mirë kohët e fundit. Mirëpo, sikurse në çdo ndeshje edhe në këtë përballje do të futemi vetëm për fitore. Pra synimi është ta fitojmë ndeshjen për të reaguar pas humbjes së fundit dhe të mbajmë hapin për dalje në Evropë. Do të japim më të mirën nga vetja dhe më përkrahjen e tifozëve besoj se do t’i ndalim pikët e plota në Klinë”, ka thënë Basriu të premten.
Skuadra e Malishevës ka një synim krejtësisht tjetër deri në fund të këtij edicioni. Ekipi i drejtuar nga Bylbyl Sokoli po synon që sa më shpejt që të jetë i mundur ta konfirmojë mbetjen në Superligë edhe për edicionin e ardhshëm. Aktualisht Malisheva ka pesë pikë mbi zonën e rënies dhe eventualisht një rezultat pozitiv ndaj Dukagjinit do të ishte një hap tjetër i madh drejt mbijetesës. Malisheva është në seri pozitive në tri ndeshjet e fundit ku ka regjistruar po aq fitore. Ka mposhtur Ferizajn e Drenicën në udhëtim dhe Trepçën ’89 në shtëpi. Në Klinë malishevasit do të udhëtojnë për ta vazhduar këtë seri pozitive.
Trajneri Bylbyl Sokoli ka thënë se ekipi i tij do t’i kërkojë pikët e ekzistencës, ndonëse do të jetë pa katër futbollistë: Fiton Hajdari, Arbër Pira, Adem Maliqi e Drilon Hazrollaj janë të lënduar.
“Futemi në këtë ndeshje për të kërkuar pikët e ekzistencës, ndonëse përballë kemi një kundërshtar të fortë si Dukagjini që ka treguar paraqitje të mira. Kemi shumë mungesa, por kjo nuk do të thotë se do të dalim të dorëzuar në fushë. Përkundrazi, do të angazhohemi për të marrë një rezultat të favorshëm në këtë përballje, pasi duelet tjera i kemi të vështira dhe na duhen pikët”, ka thënë Sokoli.
Të shtunën luhet edhe ndeshja në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë ndërmjet Trepçës ’89 dhe Drenicës. 89-shi nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit dhe llogaritet favorit përballë Drenicës, që tashmë mund të konsiderohet anëtare e Ligës së Parë. Është e fundit në tabelë me 23 pikë, 11 më pak se Trepça ’89, që renditet e teta, pozitë që siguron ndeshjen e plejautit.
Ndërkohë, të dielën vëmendja do të jetë në qytetin e Gjilanit ku zhvillohet derbi i kësaj xhiroje dhe i kampionatit. Drita, që është e para në tabelë me 66 pikë, e pret kampionin në fuqi, Ballkanin, që është i dyti dhe ka tri pikë më pak. Në stadiumin “Fadil Vokrri” Prishtina përballet me Gjilanin, skuadra këto që më vonë këtë muaj do të luajnë në finalen e Kupës së Kosovës. Ndërsa Llapi, që nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit, luan në stadiumin “Zahir Pajaziti” kundër Ferizajt, që është i parafundit në tabelë dhe po lufton për mbijetesë.
Superliga – XXIII
E shtunë (15:00)
Dukagjini – Malisheva
Trepça ’89 – Drenica
E diel (15:00)
Drita – Ballkani
Prishtina – Gjilani
Llapi – Ferizaj
1. Drita 32 19 9 4 58:26 66
2. Ballkani 32 17 12 3 31:26 63
3. Gjilani 32 13 11 8 31:31 50
4. Prishtina 32 11 10 11 40:32 43
5. Dukagjini 32 11 8 13 40:44 41
6. Llapi 32 11 8 13 40:44 41
7. Malisheva 32 10 9 13 47:48 39
8. Trepça ’89 32 8 10 14 40:46 34
9. Ferizaj 32 8 10 14 28:47 34
10. Drenica 32 6 5 21 23:48 23