As ushtrimi i pozitës së dytë më e rëndësishme në ekzekutivin e shtetit, nuk ia ka rritur numrin e votave kandidaturës së Driton Selmanajt për deputet.
Numri dhjetë në listën e kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka arritur të sigurojë vetëm 12 vota në Komunën e Hanit të Elezit, nga rreth 3 mijë e 500 votues të regjistruar në këtë komunë.
Nga 11 vendvotime të Komunës së Hanit të Elezit, Selmanaj nuk arriti të marrë asnjë votë në gjashtë prej tyre. Në dy vendvotime siguroi nga vetëm një votë.
Kandidati më i votuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Han të Elezit rezulton Avdullah Hoti, kryeministri në detyrë dhe bartësi i listës së LDK-së.
LDK-ja si subjekt politik, fitoi 237 vota apo rreth 6 për qind në Komunën e Hanit të Elezit.
Fitore edhe në këtë komunë të Kosovës shënoi Lëvizja Vetëvendosje, me 1 mijë e 950 vota. LVV-ja arriti fitore në 22 komuna të Kosovës, derisa LDK-ja nuk arriti të fitojë në asnjë komunë, përfshirë edhe në ato zona në të cilat udhëheq në nivel lokal.