Sot më datë 21 maj 2022 nga stafi i Drejtorisë së Kulturës në Klinë, në mesin e familjarëve, miqve, bashkëpuntorëve e figurave të shquara të artit u përkujtua eruditi Osman R. Gashi.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në FB, Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Klinë, Fatjona Gashi e cila shkruan:
Osman Gashi aktor, regjisor, piktor e krijues letrar, ishte ndër themeluesit e parë dhe drejtori i parë i Qendrës së Kulturës “Jehona e Dukagjinit” emër të cilin ia vuri vet ai dhe pikërisht aty vuri themelet e zhvillimit të jetës kulturore në Klinë, të teatrit, dramaturgjisë, letërsisë e pikturës që nga viti 1969.
Për nderim të veprës së tij, shkrimtari dhe studiuesi z. Prend Buzhala promovoi monografinë me titull “ E bukura ka vetëm një emër” kushtuar Osman R. Gashit.
Për mua është nder të jem pjesë e gjithë historisë së zhvillimit të jetës kulturore në Klinë dhe të jem sot mes njerëzve që rrëfyen gjithë vlerat e çmuara që qëndrojnë brenda kësaj qendre dhe unifikohen me emrin e Osman R. Gashit dhe shumë miqve të tij që ishin sot të pranishëm.