Komandanti i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka takuar homologun e tij grek, Konstantinos Skoumas në konferenëcën Rajonale të Drejtorëve të Policisë që po mbahet në Shkup.
Mehmeti e Skoumas diskutuan tema me interes të përbashkët mes dy vendeve, ku fokus pati avancimi dhe bashkëpunimi mes dy organizatave policore.
“Kryesisht diskutimet janë fokusuar në krijimin dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy organizatave policore, bashkëpunim ky i cili do të mund të realizohet edhe përmes takimeve të ndërsjella dhe shkëmbimit të informacioneve që shërbejnë në interes të luftës ndaj krimit të organizuar dhe sigurisë rajonale”, thuhet në njoftimin e zyrës së informimit të policisë.
Në njoftim thuhet se nga ky takim pritet të rritet edhe më tej bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
Kujtojmë se Greqia është njëra ndër pesë vendet anëtare të BE-së e cila s’e njeh pavarësinë e Kosovës.
Njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia e ka kërkuar së fundmi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.