Megjithëse ditëve të fundit ka një rritje alarmante të rasteve me COVID-19 në Kosovë, ku dominues është varianti Omicron, nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale situata vazhdon të jetë e qetë. Njëra ndër kategoritë që mund të konsiderohet si e rrezikuar më shumë nga ky virus janë edhe gratë shtatzëna dhe lehonat.
Në Klinikën Gjinekologjike e Obstetrike të QKUK janë të shtrira 18 gra me COVID-19.
Drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismaili në një prononcim për Telegrafin ka thënë se të gjitha pacientet janë në gjendje të mirë.
Ismaili ka deklaruar se nuk kanë raste të rënda në klinikën gjinekologjike.
“Sot i kemi pasur 18 paciente me COVID-19. Disa janë që kanë lindë mbrëmë, disa një ditë më parë, por 18 janë gjithsej”, tha Ismaili për Telegrafin.
Siç tha drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, asnjëra nga këto gra nuk ka pasur simptoma të rënda.
“Gjendja e tyre është stabile. Asnjëra nga to nuk janë, as nuk kanë qenë me simptoma të rënda. Të gjitha janë mirë, në gjendje stabile”, tha Ismaili.
Ndërkaq, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) gjatë 24 orëve të fundit kanë kërkuar trajtim 130 pacientë.
40 prej tyre janë të spitalizuar, ku prej tyre një është edhe i intubuar.
Infektologia Hatixhe Gashi ka treguar se gjendja në Klinikën Infektive është aktualisht stabile.