Së pari një draft-kornizë “franko-gjermane” doli në publik, ekzistenca e së cilës fillimisht u provua të mos pranohej nga qeveria kosovare, ndërsa këtë të enjte u publikua edhe një “draft-statut gjerman” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Qeveria ende s’ka treguar nëse një draft i tillë i është ofruar në tryezë për t’u diskutuar.
Draft-statuti i siguruar nga mediat “Nacionale” dhe “Koha” paraqet pikat e përgjithshme se si do të dukej në praktikë, si do të strukturohej një Bashkësi e komunave me shumicë serbe – si një Asociacion një-etnik, përsëri.
Në këtë dokument që është shpërndarë në qarqe diplomatike preken Parimet e Përgjithshme të Marrëveshjes së vitit 2015 pa devijuar konkretisht prej asaj që paraqitej, marrëveshja kjo së cilës i’u gjetën mbi 20 nene në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Asociacioni vazhdon të përcaktohet si entitet juridik “i themeluar me Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë (2013) dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Një nga vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese (2015) kishte qenë edhe se Asociacionit i lejohet “ekzekutimi i plotë i mbikëqyrjes (full overview)” së çështjeve që ky Asociacion i merr në komptencë të saj, si dhe përcaktohet se zhbërja e saj mund të bëhet vetëm me 2/3 anëtarëve të asaj bashkësie.
Asociacionit i lejohet financimi i drejtëpërdrejtë nga “Republika e Serbisë”, shtet ky të ciliën Republika e Kosovës nuk e njeh.
Shqetësimet kryesore se ky Asociacion do të krijonte një entitet të ndarë nga ai qendror, vijnë në mënyrë evidente edhe nga ky draft-statut, ndërsa njëri që i kishte artikuluar më së shumti këto shqetësime kishte qenë vetë kryeministri i sotshëm Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse më i zbutur se qëndrimet e tij opozitare ku kategorikisht kundërshtone një “Zajednicë”, kohëve të fundit ka dhënë indikacione se mund të pranojë Asociacion, siç ka thënë ai, mbi baza gjeografike (veriu i Kosovës është pjesë gjeografike e Kosovës, i banuar kryesisht nga komuniteti serb i Kosovës) ose zhvillimore.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, megjithatë ishte shprehur se Asociacion nuk do të kishte “as kësi as asi”, dhe shprehej i bindur se formimi i saj nuk do të bëhet.
Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, ka thënë se ShBA kërkon që Asociacioni të bëhet, pa e çfunksionalizuar shtetin dhe që s’e shkel Kushtetutën e Kosovës.
Escobar kishte treguar se një gjë e tillë i është kërkuar kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani në Washington nga vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.