Donika Gërvalla-Schwarz është emëruar dje zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Pas votimit në Kuvend të Kosovës, Gërvalla ka shkruar për jetën e saj në një shkrim të gjatë në Facebook.
Ajo ka thënë se ai person që nuk e dinë nga vjen, nuk e di as ku është nisur.
“Mbi 40 vjet kanë kaluar nga dhjetori i vitit 1979 kur Babi detyrohet të largohet nga Kosova e robëruar për të mos u kthyer më asnjëherë. Eshtrat e tij sot prehen në Kosovën e lirë, në Dubovik, pranë Bacit Bardhosh, Nanës Ajshe, Babës Bardh dhe të gjithë paraardhësve të tyre. Mbi 40 vjet histori të një familjeje shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj, pasqyrë e vuajtjeve dhe sfidave të kaq shumë familjeve shqiptare gjatë shumë dekadave. Sot për mua u përmbyll një biografi mbi 40-vjeçare”, ka shkruar ajo.
“Vajza e atëhershme, e cila në moshën 8-vjeçare u detyrua të largohej nga vendlindja, në moshën 10-vjeçare përjetoi atentatin ndaj babait dhe axhës, u rrit në një prej diktaturave më të egra komuniste në Evropë, përjetoi shembjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, përjetoi rëndë diskriminimin dhe shtypjen e bashkëqytetarëve të saj në Kosovë gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta dhe më në fund në vitin 1999 e përjetoi lirinë dhe në qershor 1999 për herë të parë pas 19 vitesh mundi të kthehet në Kosovë, pra po ajo vajzë, të cilën përvoja e saj jetësore e mësoi që liria dhe demokracia e mirëfilltë është ajo, për të cilën asnjëherë nuk duhet ndalur së luftuari, sot ka marrë besimin të jetë përfaqësuese e Republikës në politikën e saj të jashtme. Mirënjohja ime për besimin ndaj meje është e thellë sa nuk thuhet”, tha Gërvalla.
Ministrja e zgjedhur ka thënë se betimi që ka dhënë dhe punët që ka përpara janë kolosale.
“Aq më i madh detyrimi për ta përmbushur këtë detyrë me nder, punë të mira për Kosovën dhe hapjen e shtigjeve të reja për vendin dhe të gjithë qytetarët e tij. Besimi i dhënë dhe punët që i kemi përpara janë kolosale. Mbetet që në asnjë ditë të punës sonë gjatë 4 viteve të ardhshme mos ta harrojmë besimin e dhënë dhe shpresën e qytetarit, që fatin dhe të ardhmen e tij dhe të vendit ta kemi udhërrëfyesin kryesor gjatë punës sonë”, ka shkruar e njëjta.