Jo rrallëherë fëmijët keqtrajtohen nga prindërit e tyre. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, që ka ndodhur dje në fshatin Pllaqicë të Malishevës, Prokuroria ka nisur hetimet ndaj një 46-vjeçari.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se i dyshuari (emër i njohur për redaksinë, që nuk do të publikohet me qëllim të ruajtjes së identitetit të viktimës së mitur) u arrestua pasi u denoncua në Polici se po ushtron dhunë fizike ndaj fëmijës së tij, vajzës 16-vjeçare.
Ai po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht të bijën, duke e kapur për flokësh dhe duke e përplasur për dyshemeje, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore.
Për shkak të dhunës së përjetuar, vajza e mitur ka pësuar lëndime trupore për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij, për shkak se ajo një natë më parë kishte dalë nga shtëpia pa lejen e tij.
Pas marrjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka vendosur që të dyshuarin ta lirojë, për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’, ndërsa e mitura është kthyer në shtëpinë e saj.