Hetimet disa mujore të intelegjencës së Doganave të Kosovës kanë rezultuar se korporata Hib Petrol është duke kryer aktivitete në kundërshtim me ligjin.
Ekipet e doganierëve kanë zbarkuar sot në korporatën Hib Petrol.
Ata kanë gjetur se kjo kompani ka nxjerrë në shitje për qytetarët derivatet e naftës të parapara për ambasadat në Kosovë.
Derivatet e naftës të parapara për nevojat e ambasadave janë të liruara nga akciza.
Duke vepruar kështu kjo kompani dyshohet se ka bërë shamngje të obligimeve tatimore me qindra mijëra euro.
Tri ditë pasi kryeministri Albin Kurti mori një vendim lidhur me industrinë e naftës, kompanive të këtij sektori iu erdhi një kërkesë nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Iu kërkohej që të deklaronin se sa litra naftë i posedonin në stoqet e tyre. Kjo kërkesë është bërë me qëllimin që të implementohej vendimi i Kurtit për të mos lejuar korporatata e naftës që të kenë më shumë se 6 përqind fitim në shitjet me pakicë.
Ndërsa në shitjet me shumicë vendimi parashihte marzhë prej vetëm 4 përqind. Kërkesës së ATK-së i ishte përgjigjur edhe korporata Hib Petrol, pronë e Ibrahim e Kujtim Bucaliut. Kishte njoftuar ATK-në se korporata posedonte mbi 3 milionë litra derivate të naftës në stoqet e saj.
Kjo rezervë milionëshe i ndihmonte kompanisë që të mos rriste çmimin e derivateve të naftës. Mirëpo në praktikë ndodhi e kundërta, shkruan Insajderi.
Përkundër sasisë enorme rezervë, korporata HIB Petrol, vendosi që të rrisë çmimin disa herë brenda dhjetë ditëve-nga data 4 mars deri më 14 mars të vitit 2022.
Gjersa gjatë muajit shkurt çmimi i një litre naftë në këtë kompani ishte nga 1 deri në 1 euro e 6 cent, në kohën e fryrjës së çmimeve situata kishte eskaluar.
Deri më datën 14 mars çmimi ishte rritur mbi 5 herë, përderisa në bursë kishte pasur më pak lëvizje. Prej 1 euro e 6 cent në fund të shkurtit, çmimi i një litre naftë në këtë kompani kishte shkuar mbi 1 euro e 80 cent