Në vitin 2021 Dogana e Kosovës ka shënuar përmirësim të dukshëm në kohën e zhdoganimit të mallrave nga momenti i hyrjes deri në përfundim të procedurave doganore si në eksport ashtu edhe në import. Kështu thotë raporti i realizuar nga IFC, pjesë e Bankës Botërore dhe Dogana e Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu u shpreh se ky hulumtim flet për rezultate më të mira në kohën e zhdoganimit të mallrave krahasuar me hulumtimin e njëjtë të bërë në vitin 2016. Ai tregoi disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë aspekt.
Hulumtimi që është bërë ka gjetur se nga hulumtimi i fundit në vitin 2016 ka pasur përmirësime të dukshme dhe kjo është shumë inkurajuese por gjithashtu jam shumë mirënjohës për punën e ekipit dhe rekomandimet që kanë bërë që këtë proces ta avancojmë tutje duke siguruar mundësi më të mira për të bërit bizneset e veçanti për eksportin dhe importin…Vendimi i Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e avancuar të qarkullimit ndërkufitar të mallrave dhe njerëzve. Kjo marrëveshje do të vijojë edhe me avancim, edhe me procesin e plotë të zhdoganimit në portet detare fillimisht dhe pastaj me zgjerim ku konsiderohet e nevojshme nga industritë e ndryshme. Gjithashtu gjatë vitit të kaluar kemi pasur një marrëveshje me Maqedoninë të nënshkruar nga ministrat e Financave të dy vendeve për vendosjen e kontrollit të përbashkët në stacionin hekurudhor në Han të Elezit ku do të bëhet vetëm një ndalesë e dërgesave dhe transportit të personave në transportin hekurudhor”, theksoi ai.
Llugaliu u shpreh se Banka Botërore ka ndihmuar Doganën e Kosovës edhe në konceptin e operatorëve të autorizuar ekonomikë që aktualisht kanë arritur të kenë pesë operatorë të tillë.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu theksoi se në dy muajt e parë të këtij viti është shënuar rritje e eksportit prej 45 për qind.
“Gjatë vitit të kaluar kemi pasur aktivitet në tregtinë e jashtme, të rritur me 27% e që një pjesë e madhe i dedikohet eksportit, ngjashëm edhe eksporti sivjet në dy muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin paraprak ka pasur një rritje 45%. Të gjitha këto aktivitete të rritua e detyrojnë Doganën e Kosovës të avancojë lehtësira tregtare që të automatizojë procesin e zhdoganimit”, u shpreh Llugaliu.
Valon Feka nga UBO Consulting u shpreh se gjatë procedurës së importimit të mallrave kohën mesatare nga momenti kur kamioni mbërrin në pikë-kalimin kufitar deri në kur shkruhet urdhri i zhdoganimit është zvogëluar me 34.4%.
Studimit thotë se në 50% është zvogëluar koha mesatare prej kur kamioni me mallrat arrijnë në pikë-kalimin kufitar deri kur të largohet, pasi në vitin 2016 ka qenë 6 minuta, ndërsa në vitin 2021 kjo procedurë është kryer për 3 minuta.
Po ashtu, nga ky hulumtim shihet se procedurat e shpedicionit marrin më së shumti kohë procedurat e zhdoganimit të mallrave qoftë në eksport apo import.
Nëse shohim rezultatet nga viti 2016 deri në vitin 2021 shohim se ka pasur një ndryshim pozitiv prej 34.3% tek intervali që flet për kohën mesatare nga momenti kur kamioni mbërrin në pikë-kalimin kufitar deri në momentin kur Dogana shkruan urdhrin e zhdoganimit. Në vitin 2016 koha mesatare e nevojshme për të kryer gjithë këtë proces ka qenë 5 orë e 3 minuta, derisa rezultatet e vitit 2021 tregojnë se kjo kohë ka rënë në 3 orë e 19 minuta, rrjedhimisht i bie që kemi në progres 34.3% në zvogëlimin e kohës së nevojshme për ta kryer këtë operacion… Dogana ka dy lloj të procedurave që janë procedurat e rregullta dhe koha mesatare nga momenti kur kamioni arrin në pikë-kalim deri në urdhrin e zhdoganimit nëse ndiqen procedurat e rregullta koha mesatare është 7 orë e 55 minuta, ndërsa nëse është procedurë e thjeshtësuar është vetëm 2 minuta, një dallim jashtëzakonisht i madh varësisht nga procedura që përdoret, por studimi ka treguar se rreth 60% e bizneseve kalojnë në procedurë të thjeshtësuar”, tha ai.
Edhe në aspektin e eksportit ka progres në aspektin doganor, ku ka rënie të kalimit të procedurave për eksport nga momenti i dorëzimit të dokumentit doganor e deri kur kamioni del nga pika kufitare, me 16.8 për qind.
Koha mesatare nga momenti i dorëzimit të dokumentit unik doganor që njihet te Dogana në terminalin në momentin që kamioni del nga pikë-kalimi kufitar, në vitin 2016 koha mesatare ishte 3 orë e 17 minuta, ndërsa në vitin 2021 ka rënë në 2 orë e 44 minuta. Pra, koha mesatare e nevojshme për të kaluar këtë proces ka rënë 16.8 për qind”, tha Feka.
Violane Konar-Leacy, nga IFC e cila është në kuadër të Bankës Botërore, u shpreh se ka pasur përmirësime të konsiderueshme në procesin e kontrollit dhe zhdoganimit të mallrave. Sipas saj, raportet si ky janë edhe instrument i transparencës.
Ka pasur përmirësime të konsiderueshme në vitet e fundit, për shkak të përpjekjeve që ka bërë administrata doganore nga studimi i parë. Studimi për kohën e lirimit të mallrave në kufi nuk është vetëm një vegël e mirë që shërben si pikë referuese, por janë edhe marrëveshjet për Organizatën Botërore të Tregtisë të cilat inkuadrojnë anëtaret e veta që të bëjnë këto studime në mënyrë periodike dhe t’i publikojnë rezultatet e tyre… Kjo i jep komunitetit të biznesit informata të duhura për procesin e kontrollit dhe zhdoganimit të gjërave dhe është një instrument i transparencës nëse informacionet bëhet publike”, tha ajo.
Disa nga rekomandimet e dala nga hulumtimi janë se orari i punës në terminale duhet të zgjatet, të harmonizohet orari i punës ndërmjet agjencive kufitare, unifikimi i procedurave të Doganës së Kosovës dhe të zhvillohet një sistem i vetëm për të siguruar shkëmbim të informacioneve ndërmjet agjencive kufitare.
Mbledhja e të dhënave për këtë hulumtim është bërë nga 15 deri 20 nëntor 2021. Ndërsa, të përfshira kanë qenë pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë. Një hulumtim i tillë Banka Botërore së bashku me Doganën e Kosovës ishte bërë edhe në vitin 2016.