Dogana e Kosovës sot ka konfiskuar 64.350 litra të produktit “Coca-Cola”, të falsifikuara, që origjinë kishin Irakun.
Përmes një njoftimi, Dogana ka bërë të ditur se oficerët doganorë, pas dyshimeve fillestare se produkte e paraqitura për zhdoganim mund të jenë të falsifikuara, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për verifikimin e tyre.
“Dogana e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht në luftimin e falsifikimit dhe piraterisë dhe si rezultat i zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale, gjatë ekzaminimit të mallit në kufi është ndaluar malli me markën tregtare ‘Coca-Cola’, nën dyshimin se janë të falsifikuara.
Pas konfirmimit të bartësit të së drejtës se mallrat e ndaluara janë të falsifikuara, Dogana e Kosovës ka konfiskuar mallrat në sasi prej 64350 litrave, me markën tregtare ‘Coca-Cola’ dhe origjinë nga Iraku”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Sipas dispozitave ligjore në fuqi, malli i falsifikuar nuk lejohet të dalë në qarkullim të lirë, andaj Dogana njofton se malli i konfiskuar do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit.
Mallrat që shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale (DPI) në të shumtën e rasteve paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe zbatimi efikas i të drejtave të pronësisë intelektuale ndikon pozitivisht edhe në mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftim.