Kryetari i qytetit të Kievit, Vitali Klitschko i bëri thirrje Perëndimit përmes gazetës Telegraph për të ndihmuar vendin e tij, i cili pritet të përballet me armikun më të vështirë, dimrin e ftohtë.
Ish-kampioni botëror i boksit u kërkoi urgjentisht aleatëve të Ukrainës që të dërgojnë batanije dhe gjeneratorë për të mbajtur ngrohtë bashkatdhetarët e tij.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë dhe për t’i mbrojtur ata. Por ky dimër do të jetë një sfidë e madhe për ne”, tha kryebashkiaku 51-vjeçar i Kievit , duke theksuar se rritja e sulmeve ruse ndaj termocentraleve do ta sjellë Ukrainën në prag të një krize të re humanitare.
Deri më 10 tetor, pothuajse një e treta e termocentraleve të Ukrainës iu shkatërruan nga sulmet me dronë dhe raketa ruse, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në Kiev, banorët kanë marrë paralajmërime për një “kolaps” të rrjetit të furnizimit me energji elektrike në kryeqytetin ukrainas për shkak të bombardimeve ruse, ndërsa pyetja e të gjithëve është nëse sistemi do të mund të përballojë muajt e ardhshëm të ftohtin që pritet të vijë në vend.
Në ditët në vijim temperatura gjatë natës në disa rajone të Ukrainës parashikohet të biejnë deri në -20 gradë Celsius, ndërkohë që shumë banorë janë strehuar në ndërtesa pa gaz, ku i vetmi mjet për ngrohje është energjia elektrike. I njohur me pseudonimin “Dr. Iron Fist”, kryebashkiaku i Kievit tha për Telegraphin se lufta e Putinit nuk është më një luftë kundër forcave të armatosura ukrainase, por një luftë kundër qytetarëve të Ukrainës.
Vitali Klitschko dhe bashkëpunëtorët e tij kanë arritur të blejnë gjeneratorë dhe deri më sot kanë organizuar 1000 pika në Kiev ku qytetarët mund të vizitojnë për t’u ngrohur.
Kryetari i qytetit të Kievit është përfshirë aktivisht në politikë që nga viti 2005 dhe ka kombinuar boksin dhe sportin derisa u tërhoq përgjithmonë nga sporti në vitin 2013. Në vitin 2011, së bashku me vëllain e tij Vladimir, gjithashtu boksier, fituan rekordin Guinness si dyshja e vëllezërve me më shumë fitore në garat e peshave të rënda.
Vitali Klitschko drejton bashkinë e Kievit që nga qershori i vitit 2014./Abcnews.al/