Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i rëndë ka ndodhur edhe në një familje në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij.
Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje me të birin, 20-vjeçari e ka kërcënuar, duke ia drejtuar dy thika dhe për pasojë i ka shkaktuar frikë e shqetësim të madh.
Posa Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, i dyshuari është arrestuar, teksa përveç thikave, zyrtarët policorë kanë sekuestruar edhe një sasi të narkotikëve.
I dyshuari më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje.
Ndaj tij, rasti është iniciuar për veprat penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Posedim i narkotikëve’.
/GazetaSinjali/