Është zbardhur pazari i mesnatës së 3 qershorit mes presidentit Thaçi, kryetarit të Aleancës, Ramush Haradinaj dhe deputeti Haxhi Shala, pas të cilit ky i fundit ndryshoi qëndrim duke dhënë votën vendimtare për qeverinë Hoti. Shalës ia kanë shpërblyer djalin me një nga postet më të rëndësishme në diplomaci, nëpërmjet një procesi që është tentuar të mbahet fshehtë.
Pa asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm, Flakron Shala është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë, raporton koha.net.
Në shkresën dërguar presidentit me datë 28 shtator, Haradinaj i rekomandon presidentit ta dekretojë djalin e deputetit.
“Duke shprehur konsideratën më të lartë për ju dhe punën tuaj, në bazë të nenit 84 (paragrafi 25) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 2 (paragrafi 7.10) të Ligjit Nr. 03/L-207 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, ju drejtohem për të dhënë rekomandimin për emërimin e z. Flakron Shala, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Pragë/Republika e Çekisë”, shkruan në letrën e Haradinaj dërguar Thaçit.