Sot do të jetë një ditë e ‘nxehtë’ në Albi Mall Superligën e Kosovës në Futboll.
Kjo pasi të tri skuadrat pretendente për titullin kampion, Ballkani, Drita dhe Llapi do të zhvillojnë ndeshjet e tyre në orarin e njëjtë.
Të tri skuadrat do të kenë udhëtime aspak të lehta.
Ballkani do ta vizitojë skuadrën e Gjilanit. Suharekasit ndodhen lider në tabelë me 60 pikë, dy më shumë se Llapi e Drita. Gjilani ndërkohë ndodhet në pozitën e 7-të, me 34 pikë, aq sa ka edhe Feronikeli që ndodhet në zonën e barazhit.
Drita ndërkohë do të udhëtojë drejt Klinës ku do të takohet me Dukagjinin.
Gjilanasit vijnë pas një barazimi 2-2 në Suharekë ndaj Ballkanit, dhe pozicionohen në pozitën e tretë në tabelë me 58 pikë, aq sa ka edhe Llapi, por me podujevasit me golaverazh më të mirë. Dukagjini ndodhet në pozitën e 6-të me 38 pikë.
Kurse Llapi do të ketë punë ndaj Prishtinës, në ndeshjen e cila do të zhvillohet në Lipjan, në stadiumin “Sami Kelmendi”.
Llapjanët vijnë pas një fitore minimale 1-0 ndaj Fushë Kosovës në Podujevë, për ta rrëmbyer pozitën e dytë tabelare, duke e tejkaluar Dritën falë golaverazhit.
Fushë Kosova tashmë është dorëzuar në garën për mbijetesë, ku ndodhet e parafundit në tabelë me 20 pikë dhe së bashku me Lirinë do të përshëndeten nga Superliga.
Të gjitha duelet zhvillohen nga ora 15:00.